Fotot, videot dhe dokumentet në një vend, WhatsApp përgatit risi për përdoruesit e iPhone

Soft

Fotot, videot dhe dokumentet në një vend, WhatsApp përgatit risi

WhatsApp po përgatit një funksion të ri për iPhone, i cili pritet ta bëjë më të lehtë gjetjen e fotografive, videove, lidhjeve dhe dokumenteve të shkëmbyera në biseda.

Bëhet fjalë për funksionin Media Hub, i cili u prezantua vitin e kaluar në versionet e aplikacionit për Mac dhe ueb, ndërsa tani është vërejtur edhe në versionin më të fundit beta të WhatsApp-it për iOS, me numër 26.42.10.74, raporton B92, duke iu referuar GSMArena-s.

Funksioni i ri do të jetë i qasshëm përmes cilësimeve të aplikacionit dhe do të mundësojë shfaqjen në një vend të vetëm të përmbajtjeve mediatike të pranuara në biseda. Megjithatë, nuk do të përfshijë fotografitë, videot dhe materialet e tjera të dërguara nga vetë përdoruesit, si dhe mesazhet e përmbajtjet që zhduken pas një periudhe të caktuar.

Media Hub do të ketë dy seksione kryesore. Seksioni “New” do të shfaqë materialet e pranuara së fundmi, ndërsa “All media” do të ofrojë një pasqyrë të plotë të përmbajtjeve të disponueshme.

Përdoruesit do të mund t’i filtrojnë materialet sipas kategorisë, duke ndarë fotografitë, videot dhe lidhjet. Gjithashtu, do të kenë mundësi të zgjedhin mes paraqitjes në formë liste ose rrjeti, si dhe të veçojnë përmbajtjet që u kanë pëlqyer.

Për secilin material do të jenë të disponueshme disa veprime, përfshirë përcjelljen në një bisedë tjetër, reagimin, shënimin me yll dhe kalimin e drejtpërdrejtë te biseda ku materiali është pranuar fillimisht.

Një nga veçoritë më të dobishme pritet të jetë funksioni i integruar i kërkimit. Ai do të mbështesë kërkimin sipas përshkrimeve të fotografive dhe videove, si dhe lidhjeve, duke ua lehtësuar përdoruesve gjetjen e materialeve edhe kur nuk e mbajnë mend se kur i kanë pranuar.

Për momentin, Media Hub është ende në fazën e zhvillimit dhe nuk është i disponueshëm as për testuesit e versionit beta. Pritet që WhatsApp ta testojë funksionin me një numër të kufizuar përdoruesish në njërin nga përditësimet e ardhshme.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion