“Testime periodike dhe karrierë sipas meritës”/ Rama paralajmëron transformimin në administratën publike

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një proces të ri vlerësimi për administratën publike, i cili do të nisë nga nivelet e larta drejtuese dhe do të shtrihet gradualisht në të gjithë sistemin. Gjatë prezantimit të reformës "Shkalla e Meritës", Rama deklaroi se nëpunësit do t’i nënshtrohen testimeve periodike, me synimin që avancimi në karrierë të bëhet në bazë të meritës dhe performancës.
Sipas kryeministrit, sekretarët e përgjithshëm do të jenë pika e nisjes së këtij procesi, pasi performanca e tyre ndikon në funksionimin e të gjithë administratës.
Ai theksoi se vlerësimi do të zhvillohet sipas një kalendari të paracaktuar, duke u dhënë mundësi nëpunësve të përmirësojnë rezultatet dhe të avancojnë në karrierë përmes testimeve.
Edi Rama: Ajo që mbetet shumë serioze, më shumë se në të tjerat, është se shumica dërrmuese e nëpunësve, e njerëzve të administratës, thonë se nëse punon apo nuk punon, kjo duket sikur nuk ka rëndësi për sa kohë që vlerësohesh dhe rritesh në karrierë. Dhe më keq akoma, ajo që e bën edhe më negativ këtë vlerësim, është fakti që nuk ka pasoja negative në vlerësim për ata që nuk punojnë.
Unë vetë kam qenë skeptik për mundësitë e rritjes reale të cilësisë së administratës dhe, në një farë mënyre, i shqetësuar për faktin që pasi ne të realizonim me sukses daljen nga tuneli ku qëndruam për disa vite, tuneli i poshtërimit, e kam pagëzuar unë, për të hapur negociatat.
Ndërkohë që kohët sollën që nevoja për të shtyrë më tutje të bashkëndihej me vetë njerëzit, me vetë masën e gjerë të qytetarëve, të cilët, në një moment të caktuar, shfrytëzuan një shkak që nuk ishte aq i rëndësishëm, një shkak jo aq të rëndësishëm sa të dilnin në protestë, por dolën në protestë me nevojën e madhe për të shprehur disa shqetësime të akumuluara dhe për të kërkuar një përshpejtim të domosdoshëm, në kushtet kur praktikisht Shqipëria e ka kapërcyer epokën e mungesave dhe ka hyrë në epokën e pritshmërive të larta.
Ne kemi ndërmarrë një proces transformues, jo shumë të bujshëm, të them të drejtën, por në mënyrë të konsiderueshme të thellë, duke filluar nga BESA, duke kaluar te Pasqyra, e cila do të mbledhë të gjithë shtetin në një vend të vetëm, duke vazhduar me pranimin besnik, ndërkohë që sot kemi një komponent të ri, që është Shkalla e Meritës. Sekretarët e përgjithshëm janë fillimi i një procesi vlerësimi që shkon nga lart-poshtë dhe ku, nëse ata çedojnë, çedon i gjithë sistemi.
Pra, vit pas viti, apo sipas kalendarit të paracaktuar, të gjithë mund të kalojnë në testime, ku mund të rrisin pikët e tyre dhe mundësitë për t’u ngjitur një shkallë më lart. Dhe e fundit që kam është ajo që ndodh me ekselencën dhe me ata që hyjnë për të ndjekur një program njohjeje dhe për të hedhur një hap drejt administratës, të cilët, në shumë raste, pasi u mbaron ai vit pune, mbeten jashtë sistemit dhe përballen me pamundësinë për të vazhduar, edhe në rastet kur kanë performuar shumë mirë. Edhe kjo është diçka që duhet parë me kujdes, në mënyrë që të mos kemi një ndërprerje brutale të marrëdhënies.


