E përjashtuan nga PS-ja, Elisa Spiropali paralajmëron dalje publike nesër nga Kuvendi

Elisa Spiropali ka reaguar pas vendimit të Partisë Socialiste për ta përjashtuar nga grupi parlamentar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputetja ka njoftuar se do të dalë në një konferencë për shtyp ditën e nesërme, ku pritet të flasë për zhvillimet e fundit.
“Flasim nesër në 11:00 në konferencë shtypi nga Kuvendi”, shkruan Spiropali.
Vendimi për përjashtimin e saj u mor paraditen e kësaj të marte, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku propozimi i kryetarit të grupit, Taulant Balla, u hodh në votim. Sipas raportimeve, deputetët Erion Braçe dhe Bledi Çuçi abstenuan, ndërsa pjesa tjetër e të pranishmëve votoi pro. Vetë Spiropali nuk ishte e pranishme në mbledhje.
Ky zhvillim vjen pas vendimit të 14 nëntorit, kur Asambleja Kombëtare e PS-së e përjashtoi Spiropalin nga forumet drejtuese të partisë.
Përplasjet mes saj dhe drejtimit të socialistëve ishin bërë publike edhe më herët, ndërsa Spiropali kishte kërkuar përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama më shumë hapësirë për diskutim dhe debat brenda partisë.
Pas votimit të sotëm, Partia Socialiste zbret në 81 deputetë në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, deklaroi se vendimmarrja është marrë në përputhje me statutin dhe rregulloren e brendshme të PS-së, ndërsa shtoi se dokumentacioni përkatës do t'i vihet në dispozicion Kuvendit.
Tashmë pritet reagimi i plotë i Elisa Spiropalit, e cila ka zgjedhur konferencën e nesërme për të bërë publike qëndrimin e saj pas këtij vendimi.


