Skandali në Nvidia, Jensen Huang thirret të dëshmojë në Kongresin amerikan për lidhjet e dyshuara me Kinën

Ish-drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, ka rënë dakord të dëshmojë më 1 dhjetor para disa komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi të publikuar të martën nga Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve.
Huang dha dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s të enjten, pas publikimit të raportimeve për marrëdhënie jashtëmartesore, njëra prej të cilave dyshohet se përfshinte një person të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës.
Këto pretendime kanë ngritur pikëpyetje mbi eksportin drejt Kinës të mikroçipave të avancuar të kompanisë, të përdorur për inteligjencën artificiale.
Sipas njoftimit, seancat dëgjimore do të zhvillohen përpara Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Komisionit të Posaçëm për Partinë Komuniste Kineze dhe Komisionit të Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve.
Ndërkohë, këshilltari i përgjithshëm ligjor i Nvidia-s, Tim Teter, do të paraqitet për të dëshmuar para të njëjtave komisione më 2 dhjetor.
“Presim të dëgjojmë nga Jensen Huang dhe Tim Teter se cili ka qenë roli i tyre në një shkelje të mundshme të sigurisë sonë kombëtare”, deklaruan në një reagim të përbashkët kryetarët republikanë të komisioneve, Brian Mast, John Moolenaar dhe Rick Crawford.
“Populli amerikan ka nevojë për përgjigje lidhur me rolin e zotit Huang dhe Nvidia-s në lejimin e aktorëve të rrezikshëm të Republikës Popullore të Kinës (PRC) për të siguruar akses në mikroçipat tanë më të avancuar, si dhe për rolin e një agjenti të mundshëm të shërbimeve sekrete kineze në këtë skandal”, përfunduan ata.


