2.7 milionë lekë për të shmangur arrestimin, SPAK kërkon 2 vite burg për dy policët në Vlorë

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga 2 vite burg për dy punonjës policie në Vlorë, të akuzuar për korrupsion pasiv, pasi dyshohet se kanë marrë 2.7 milionë lekë të vjetra nga një qytetar në këmbim të mosarrestimit të tij.
Në pretencën e paraqitur para gjykatës, prokurori Elvin Gokaj ka kërkuar dënimin me nga dy vite burg për ish-shefin e Krimeve në Orikum, Daniel Liskendaj, dhe specialistin e Policimit në Komunitet, Afrim Ferraj.
Sipas hetimeve të SPAK, dy efektivët dyshohet se kanë përfituar shumën prej 270 mijë lekësh të reja nga qytetari Everest Bashaj, duke i ofruar në këmbim shmangien e arrestimit.
Përveç dënimit me burg, prokuroria ka kërkuar edhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të dy ish-punonjësit e policisë, për një periudhë prej tre vitesh.
Ndërkohë, për Everest Bashajn, i akuzuar për dhënien e parave me qëllim shmangien e ndalimit nga policia, SPAK ka kërkuar dënimin me 8 muaj burgim.
Tashmë pritet që gjykata të shqyrtojë kërkesat e prokurorisë dhe të japë vendimin për tre të pandehurit.


