Stresi i bashkohet Berishës sot në protestë: Kush nuk njeh Kosovën, nuk njeh Shqipërinë

Këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi, ka bërë publike pjesëmarrjen e tij sot në protestën e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, kundër ardhjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
Me anë të një postimi në Instagram, Stresi thotë se është në protestë kundër zotit të shtëpisë jo kundër mysafirëve.
“Nesër (sot)do jem në protestë jo për të protestuar kundër mysafirëve, por kundër të zotit të shtëpisë. Kundër të zotit të shtëpisë që nuk përfaqëson dot shumicën e shqiptarëve, ndonëse në zgjedhjet e fundit ishte më i votuar se pengu i tij. Ai nuk u votua nga shumica absolute e shqiptarëve.
I zoti i shtëpisë nuk mund të shpallë mikun e tij personal si mik të Shqipërisë. As të Shqiptarëve. Aq më keq kur ulet në krah të tij dhe përballë Kosovës, shqiptarëve! Ky pozicion politik i qeverisë sonë është i papranueshëm! Kush nuk njeh Kosovën nuk respekton as Shqipërinë!
Mysafirin ta rehatojnë si mysafir, por jo si mik të Shqipërisë e shqiptarëve, të cilët ende nuk i njeh si shtet e as i respekton si komb. Protesta është jeta e një kombi dhe zemra e demokracisë. Do jem aty si qytetar, patjetër!” – shkruan Stresi.


