Edi Rama konfirmon goditjen e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës: Janë dy të përjashtuar nga kjo shtëpi

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Asamblesë së PS-së për Tiranën, Rama iu referua dy figurave socialiste si “të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”.
“Avokati i Veliajt i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, tha ai.
Kujtojmë se një javë më parë, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së në Gjirin e Lalzit, kryeministri propozoi votimin dhe largimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, ky i fundit avokat i Erion Veliajt, nga strukturat drejtuese të partisë.
Në atë mbledhje, Asambleja nuk votoi për përjashtimin e tyre, ndërsa deklarata e Ramës sot konfirmon se vendimi për përjashtimin e tyre është marrë.
Gjatë mbledhjes në Gjirin e Lalzit u raportua edhe për replika mes kryeministrit dhe ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Në mbështetje të kësaj të fundit dolën Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko, të cilët kundërshtuan përjashtimin e saj nga forumet drejtuese socialiste.


