Sarandë, “arrest shtëpie” të dyshuarit për plagosje. Autori: Tentoi të më vidhte

Aktualitet

IMG_6105.webp

Një ngjarje e rëndë e ndodhur më 16 shtator në Sarandë është mbajtur jashtë vëmendjes publike, ndërsa detaje të reja kanë dalë në dritë pas vendimit të Gjykatës së Sarandës për masën e sigurisë ndaj personit të dyshuar për plagosjen.

I dëmtuari, 63-vjeçari Fatos Muço, është transportuar fillimisht në spitalin e Sarandës dhe më pas është nisur me urgjencë drejt Tiranës, ku për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është intubuar. Sipas të dhënave të dosjes, ai ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e kokës.

Ngjarja u zbulua pasi patrulla e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, e cila po kryente shërbimin në zonën policore 1, u njoftua rreth orës 16:25 për një konflikt. Efektivët shkuan në zonën e “Mandrës së Pirove”, ku takuan Bernard Kaninën dhe djalin e tij.

Sipas deklarimeve të tyre, ata ishin konfliktuar me një person, pasi dyshonin se ishte futur në automjet për të vjedhur dhe më pas i kishte kërcënuar me thikë. Policia u vu në ndjekje të personit të dyshuar dhe pak më tej, në drejtim të rrugës së Gajdarit, gjeti 63-vjeçarin të gjakosur dhe me dëmtime në kokë.

Në vendngjarje mbërriti edhe një grua, e cila u dorëzoi efektivëve një thikë dhe një palë pinca të vendosura në një qese të zezë. Ajo deklaroi se thika i ishte përdorur për të kërcënuar vëllain e saj.

Pas marrjes së ndihmës së parë, Fatos Muço u transportua drejt Tiranës, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në konflikt u shoqëruan në Komisariat.

Versioni i të dyshuarit

Gjatë marrjes në pyetje, Bernard Kanina ka mohuar se e kishte nisur konfliktin. Ai ka deklaruar se atë ditë kishte dalë nga shtëpia rreth orës 15:00 për të mbushur ujë dhe për të bërë disa blerje.

Sipas tij, pasi kishte përfunduar punët, kishte qëndruar me automjetin në qendër të Metoqit. Më pas, një person në lokal i kishte thënë se një shtetas që po largohej në drejtim të Gajdarit ishte futur në makinën e tij dhe kishte marrë disa sende.

Kanina ka deklaruar se e ka ndjekur me automjet dhe e ka arritur pranë kthesës së Mandrës. Aty, sipas tij, ka nisur debati, pasi i ka kërkuar personit t’i kthente telefonat që dyshonte se i kishte marrë nga makina.

I dyshuari pretendon se 63-vjeçari e ka goditur fillimisht me një shkop dhe se ai është kundërpërgjigjur. Sipas deklarimit të tij, më pas Muço ka nxjerrë një thikë, ndërsa në konflikt ka ndërhyrë edhe djali i Kaninës, i cili ia ka marrë thikën.

Gjykata nuk bindet nga alibia

Një nga elementet e marrë në konsideratë nga gjykata ka qenë edhe deklarimi i pronares së lokalit, e cila ka mohuar se Bernard Kanina ka qenë në biznesin e saj atë ditë. Ajo ka deklaruar se nuk e kishte parë dhe se në ambient nuk shërbehej kafe, por vetëm ushqim të shpejtë.

Ndërkohë, policia nuk ka mundur të sigurojë pamje filmike të ngjarjes. Marrja e dëshmisë së të dëmtuarit gjithashtu nuk ka qenë e mundur për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore.

Në këto kushte, duke marrë në konsideratë dëmtimet e rënda që 63-vjeçari ka pësuar në kokë dhe rrethanat ende të paqarta të konfliktit, Gjykata e Sarandës ka caktuar ndaj Bernard Kaninës masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar dinamikën e plotë të përplasjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.

ME TE LEXUARAT