Gjykata kroate lejon ekstradimin në Gjermani të ukrainasit të dyshuar për shpërthimet e Nord Stream

Një gjykatë kroate ka vendosur se një shtetas ukrainas, i dyshuar për përfshirje në shpërthimet e tubacioneve të gazit Nord Stream në vitin 2022, mund të ekstradohet në Gjermani.
Prokurorët gjermanë kanë deklaruar se Vladimir Z. ishte një zhytës dhe pjesë e një grupi që dyshohet se qëndron pas shpërthimeve, të cilat ndodhën disa muaj pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Shpërthimet, të cilat Rusia dhe vendet perëndimore i kanë cilësuar si sabotim, dëmtuan tubacionin Nord Stream 1, një linjë me rëndësi të madhe për eksportet ruse të gazit drejt Evropës, si dhe degën Nord Stream 2, e cila në atë kohë ende nuk kishte nisur funksionimin.
Avokati i Vladimir Z., Mikola Katerinçuk, e ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, të njoftuar të premten e kaluar, duke e cilësuar atë si të njëanshëm dhe politik. Ai tha se do të bëhet apel ndaj vendimit.
Gjykatat gjermane e kanë trajtuar çështjen si pjesë të juridiksionit të tyre, pasi tubacionet përfundojnë në landin gjerman të Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore, ndërsa dëmet e shkaktuara prekën sigurinë energjetike dhe sigurinë e brendshme të Gjermanisë.
Vladimir Z. u arrestua në gusht në një hotel në qytetin bregdetar kroat të Pulës, në bazë të një urdhër-arresti evropian. Sipas avokatëve të tij, ai mohon çdo përfshirje në shpërthime.
Në korrik, prokurorët gjermanë ngritën akuza ndaj një tjetër të dyshuari në këtë çështje, ish-oficerit të ushtrisë ukrainase Serhii K., për organizimin e shpërthimeve në emër të institucioneve shtetërore ukrainase.
Edhe ai u arrestua në Itali në gusht të vitit 2025 dhe u transferua në Gjermani në nëntor. Serhii K. gjithashtu mohon çdo përfshirje në shpërthimet pranë ishullit Bornholm të Danimarkës.
Gjykata e Qarkut të Pulës konfirmoi sot se kishte marrë një vendim për çështjen, por deklaroi se nuk mund të jepte detaje deri në momentin kur palët të vendosin nëse do të apelojnë vendimin.


