Vr'au motrën, nënën dhe babain, publikohet fotoja, ky është autori i masakrës së Krakovës me 9 të vd'ekur e 16 të plagosur

Të tjera informacione kanë dalë në dritë lidhur me sulmin e përgjakshëm në qytetin polak të Krakovës, ku gjashtë persona humbën jetën dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur. Mediat vendase kanë publikuar identitetin e autorit të dyshuar, ndërsa hetimet kanë zbuluar një tjetër ngjarje të rëndë në banesën e familjes së tij.
Sipas raportimeve, personi i dyshuar për sulmin është 25-vjeçari Michał Oksiński, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë.
Ndërkohë, autoritetet polake kanë konfirmuar se në shtëpinë ku i riu jetonte me familjarët janë gjetur tre persona të pajetë. Bëhet fjalë për babanë e tij 53-vjeçar, nënën 52-vjeçare dhe motrën 20-vjeçare.
Nga të dhënat e para hetimore, të tre viktimat rezultojnë të kenë pasur plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Policia po punon për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së tyre dhe lidhjen e mundshme me sulmin në Krakovë.
Bilanci i të shtënave në qytetin polak mbetet gjashtë të vdekur, përfshirë një person që ndërroi jetë pasi u transportua në spital. Ndërkohë, 16 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, pesë prej të cilëve raportohet se janë shtetas të huaj.
Zëvendësinspektori Andrzej Fijolek, përfaqësues i policisë polake, ka deklaruar për televizionin TVN24 se numri i viktimave nuk ka pësuar ndryshime dhe se nuk është raportuar përkeqësim i gjendjes shëndetësore të personave të tjerë të plagosur.
Sipas mediave polake, 25-vjeçari nuk kishte precedentë penalë dhe jetonte së bashku me familjen në Ostrowiec Świętokrzyski, qytet që ndodhet rreth dy orë larg me automjet nga Krakova.
Një tjetër detaj i zbuluar gjatë hetimeve lidhet me interesin e të riut për armët. Ai raportohet se ishte anëtar i një poligoni qitjeje, ku zhvillonte aktivitete të lidhura me përdorimin e armëve të zjarrit.
Një fqinj i familjes ka rrëfyer për televizionin TVN24 se kishte parë disa herë 25-vjeçarin dhe babanë e tij të largoheshin së bashku me automjet, të veshur me uniforma kamuflazhi dhe duke mbajtur çanta.
Megjithatë, sipas dëshmitarit, sjellja e tyre nuk kishte ngjallur ndonjëherë dyshime te banorët e zonës. Ai ka deklaruar se nuk kishte vënë re asgjë të pazakontë dhe se nuk do ta kishte menduar se i riu mund të përfshihej në një ngjarje kaq të rëndë.
Zbulimi i tre trupave në banesën e familjes ka shtuar pikëpyetjet mbi atë që mund të ketë ndodhur përpara sulmit në Krakovë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivet e autorit të dyshuar, si dhe për të përcaktuar nëse vdekja e familjarëve të tij ka lidhje të drejtpërdrejtë me masakrën që tronditi qytetin polak.


