Sa sociale është Paketa Fiskale 2027 për shqiptarët?

Aktualitet

Sa sociale është Paketa Fiskale 2027 për shqiptarët?

Vendi ynë renditet i parafundit në Europë për shpenzimet ndaj mbrojtjes dhe përkrahjes sociale, duke lënë pas vetëm Turqinë. Referuar vetëm analizës së shpenzimeve sociale për vendet e rajonit dhe të BE-së, Shqipëria jep përshtypjen se udhëhiqet nga një qeveri që ndjek politika ekonomike dukshëm larg pikëpamjeve dhe ideologjive të majta

Shpenzimet për përkrahjen sociale dhe shtresave në nevojë në vendin tonë përbëjnë vetëm 11.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nivel shumë më i ulët se mesatarja e BE-së, e cila qëndron në 27.5% të PBB-së. Në raport me madhësinë e ekonomisë së saj, Shqipëria sipas të dhënave të fundit të EUROSTAT shpenzon për shtresat në nevojë sa 41% e mesatares europiane.

Shqipëria lë pas vetëm Turqinë me një diferencë të papërfillshme (10.9%). Por përsa u përket shpenzimeve sociale vendi ynë mbetet pas në krahasim me vendet fqinje të rajonit lidhur me shpenzimet për mbrojtjen sociale: Bosnje-Hercegovina: 21.1% të PBB-së, Mali i Zi (19.2%) të PBB-së dhe Serbia 18.2% të PBB-së së saj.

Sipas raporteve monitoruese, pjesa dërrmuese e këtij buxheti në vendin tonë shkon për skemën e pensioneve të pleqërisë, nisur nga fakti se Shqipëria ka nisur të paguajë tarifën për pasojat e viteve të vështira jo vetëm të komunizmit, por edhe të tranzicionit, papunësisë dhe informalitetit të lartë të ekonomisë.

Ndërkohë, sistemeve mbështetëse u mungon një mekanizëm automatik indeksimi për ndihmën ekonomike. Kjo bën që vlera e mbështetjes financiare të mos përshtatet me rritjen e kostove të jetesës dhe çmimet e ushqimeve, duke rritur vështirësitë për familjet në nevojë.

Për vitin 2027, shpenzimet më optimiste për mbrojtjen sociale parashikohen të shkojnë në rreth 9% të PBB-së, ndërsa fondi total i alokuar 279.7 miliardë lekë përbën 26.2% të shpenzimeve totale publike (33.3% të PBB-së).

Në strukturën e brendshme të këtyre shpenzimeve në Shqipëri, peshën kryesore absolute e mban skema e pensioneve dhe sigurimet shoqërore, të cilat thithin rreth 88% të të gjithë fondit të mbrojtjes sociale.

Pensionet, indeksimi dhe dyfishimi i bonusit të fundvitit, ndihma ekonomike për shtresat në nevojë, fonde shtesë për fëmijët me aftësi ndryshe, nënat e reja dhe gratë e papuna me tre fëmijë, si dhe projekte për strehimin social, janë disa nga zërat ku për vitin 2027 parashikohet rritja e shpenzimeve.

Shëndetësia përfshin financimin e barnave onkologjike dhe shërbime të tjera shëndetësore ndërsa në sektorin e arsimit parashikohet rritje e bursave për nxënesit dhe studentët në nevojë. 

Por sa sociale është Paketa e re Fiskale për shqiptarët?

Shpenzimet totale për përfitimet e mbrojtjes sociale në BE ishin 5,183 miliardë euro në vitin 2025, ekuivalente me 27.5% të PBB-së.

Në vitin 2025, shpenzimet totale për përfitimet e mbrojtjes sociale në të gjithë BE-në ishin 4.9% më të larta se në vitin 2024.

Shpenzimet u rritën në të gjitha vendet e BE-së në vitin 2025. Rritja më e madhe vjetore u regjistrua në Kroaci (15.4%), ndërsa më e vogla në Çeki (0.2%).

Ndryshime të konsiderueshme vërehen midis vendeve të BE-së kur bëhet fjalë për nivelet e shpenzimeve për mbrojtjen sociale në raport me PBB-në. Në vitin 2025, shpenzimet varionin nga 32.4% në Austri, 32.2% në Finlandë dhe 32.1% në Francë në 16.7% në Hungari, 13.8% në Maltë dhe 11.7% në Irlandë.

Në të gjitha vendet e BE-së, rritjet më të mëdha të shpenzimeve sociale në vitin 2025 (krahasuar me vitin 2024) u vunë re në Kroaci (15.4%), Bullgari (12.1%) dhe Lituani (11.6%). Shpenzimet ndoqën një ritëm relativisht të ngadaltë në vitin 2025 në Çeki (0.2%), Greqi (0.6%) dhe Finlandë (1.3%).

Në të gjitha vendet e BE-së, raporti i shpenzimeve për përfitimet e mbrojtjes sociale në raport me PBB-në u rrit në 19 vende të BE-së, më tepër në Kroaci (rritje prej 1.4 pikë përqindjeje) dhe Austri (rritje prej 0.8 pikë përqindjeje) dhe u ul në 8 vende të BE-së, më ndjeshëm në Çeki dhe Rumani (rënie prej 1.2 pikë përqindjeje në të dy vendet).

img-2743-6af0eb98e3722.jpeg

Një grafik me dy kolona (për Shqipërinë disponohen të dhënat e 2024 dhe ka një kolonë) që tregon shpenzimet për përfitimet e mbrojtjes sociale në raport me PBB-në.
Të dhënat për vendet e tjera paraqiten në përqindje për vitin 2024 dhe për vitin 2025, ku përfshihen vendet anëtare të BE-në, EFTA-s dhe ato kandidate për në BE

Në 8 vende të BE-së më shumë se gjysma e përfitimeve të mbrojtjes sociale shkoi në funksion të pleqërisë dhe të mbijetuarve nga aksidentet apo sëmundjet; teksa kryesonin dy vendet tona fqinje në BE, me 63.1% Greqia, e ndjekur nga Italia (59.0%), Rumania (55.2%) dhe Portugalia (54.8%). Në disa raste, shpenzimet relativisht të larta për pleqërinë dhe të mbijetuarit mund të lidhen me plakjen e popullsisë (dhe kostot e lidhura me të).

Përveç Irlandës, shpenzimet e dyta më të larta për përfitimet e mbrojtjes sociale në të gjitha vendet e BE-së shkuan për sëmundje dhe kujdes shëndetësor. Pjesa e tyre varionte nga 45.8% në Irlandë dhe 35.2% në Slloveni deri në minimumin prej 21.8% në Danimarkë, 22.1% në Itali, 22.9% në Greqi dhe 23.5% në Finlandë.

Pjesa e përfitimeve të mbrojtjes sociale për familjen/fëmijët varionte nga 15.0% në Poloni dhe 13.9% në Luksemburg në 4.8% në Qipro dhe 4.6% në Greqi.

Pjesa më e lartë e përfitimeve për funksionin e aftësisë së kufizuar u regjistrua në Danimarkë (18.7%). Pëefitimet për aftësi të kufizuar përbënin nivelin e tretë më të lartë të përfitimeve në 7 vende.

Pjesa e përfitimeve të papunësisë varionte nga 1.6% në Kroaci në 5.4% në Francë. Përqindja e strehimit dhe përjashtimit social ishte më e larta në Irlandë (7.0%), e ndjekur nga Holanda (6.9%) dhe Qiproja (6.2%). Nga ana tjetër, ajo ishte më e ulëta në Estoni (0.7%). Funksioni i strehimit dhe përjashtimit social përbënte nivelin e tretë më të lartë të përfitimeve në Qipro.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion