Dyshonin se transportonte civilë dhe gaz lotsjellës, protestuesit i dalin para autoambulancës/ Ja çfarë u konstatua

Një grup protestuesish kanë ndaluar dhe sulmuar një autoambulancë, pasi dyshuan se brenda saj mund të kishte efektivë policie civilë ose gaz lotsjellës.
Pas kontrollit, kur konstatuan se në automjet ndodheshin vetëm pajisje mjekësore, protestuesit e kanë lejuar atë të vijojë lëvizjen.
Protesta vijon prej më shumë se 6 orësh, ndërsa situata është shoqëruar me tensione dhe akte dhune. Pak minuta më parë, një grup protestuesish të maskuar dhe të pajisur me shkopinj kanë ndaluar në Rrugën e Elbasanit, ku janë përplasur me efektivët e policisë.
Për të shpërndarë turmën, policia ka përdorur autobotet me ujë dhe gaz lotsjellës, si nga toka ashtu edhe nga ajri. Protestuesit janë shpërndarë për disa minuta, por një grup prej tyre është rikthyer në sheshin “Skënderbej”, ku kanë rinisur sulmet me bomba molotov.
Ndërkohë, situata paraqitet ende e tensionuar dhe policia ka shoqëruar disa prej protestuesve.


