"Plasin gjobat", Policia nis zbatimin e masave te reja te vendosura nga Rama kundër protestuesve

Policia e Shtetit ka ndëshkuar me masë administrative 16 protestues pas tubimit të zhvilluar ditën e djeshme në kryeqytet, për shkak të pengimit të qarkullimit të mjeteve.
Secilit prej shkelësve u është vendosur një gjobë prej 50 mijë lekësh të vjetra, e bazuar në aktin e ri normativ për tubimet. Sipas procedurës, një kopje e procesverbalit i dorëzohet shkelësit, ndërsa kopja tjetër mbahet nga Policia për t’u kaluar në sektorin e Financës.
Në vendimin e policisë citohet se protestuesit kanë shkelur pikën 2 të nenit 24/1 të Aktit Normativ.
Të gjithë qytetarët e ndëshkuar me këtë masë administrative kanë të drejtën ligjore për ta ankimuar vendimin në Gjykatën Administrative.
Njoftimi:
Tiranë/Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 16 masa administrative, në zbatim të Aktit Normativ.
Procedohen penalisht 2 shtetas të mitur, të dyshuar për veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, sipas pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 16 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.
Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve.
Nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj shtetasve të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera janë vendosur bazuar në identifikimin e shtetasve nga pamjet filmike. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur, pasi më datë 02.11.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga studentët, dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


