“Revolucioni i Flamingove”/ 73 ditë protesta kundër qeverisë, paralajmërohet masivizim më 14-16 gusht

Protestat e ashtuquajtura “Revolucioni i Flamingove” kundër qeverisë së Edi Ramës vijojnë prej 73 ditësh, ndërsa protestuesit janë rikthyer sërish në rrugë me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.
Me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”, protestuesit kanë përsëritur mesazhet kundër qeverisë dhe mënyrës së qeverisjes, duke deklaruar se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga protesta.
Pas më shumë se dy muajsh, organizatorët dhe pjesëmarrësit shprehen se lëvizja do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa paralajmërojnë një rritje të pjesëmarrjes gjatë kësaj jave.
Në protestat e ardhshme pritet të përfshihen edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Diaspora ka paralajmëruar pjesëmarrje në protesta masive në Tiranë gjatë datave 14, 15 dhe 16 gusht.
Protestuesit synojnë që ardhja e shqiptarëve nga diaspora të sjellë një tjetër dimension të protestës dhe të rrisë presionin ndaj qeverisë për kërkesën e tyre kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.


