"Nuk kam shitur fiq", Jorida Tabaku zbulon nëse ka një vilë në Gjirin e Lalëzit

Kandidatja e Partisë Demokratike në Tiranë, Jorida Tabaku ka një përgjigje edhe ndaj pretendimeve se ka në pronësi një vilë në zonën e Gjirit të Lalëzit, të blerë nëpërmjet korrupsionit. “Unë kam 12 vite e angazhuar në politikë, kam qenë në administratë publike dhe kushdo mund të kishte hetuar.
Askush nuk e blen dot të shkuarën. Gjithkush ka dy modele, modeli që përbalt tjetrin dhe njëkohësisht modeli që flet me fakte dhe argumente. Unë çdo gjë e kam transparente, vij nga dy familje, të cilat janë familje të mëdha qytetare të Tiranës. E kanë krijuar mundësinë të punoj dhe jetoj mirë, çdo gjë është e hapur”.
Edhe në këtë rast, Tabaku sqaron se do të përgjigjet drejtësia. “Nga akuzat e drejtpërdrejta që unë i kam bërë përpiqet që të hedhë baltë, do të përballet me drejtësinë. Çdo gjë në karrierën time është transparente.
Unë as nuk kam krijuar historinë që shes fiq, çdo gjë është e deklaruar. Familja ime ka pasur vila që në 1939, kur ato që hedhin baltë sot mbi mua, nuk dihet se ku jetonin”. E gjitha, sipas saj, është një fushatë që ta intimidojë në punën që bën.


