Përflitet në videon me 100 euro, Evis Kushi thyen heshtjen, reagon për herë të parë

Politikë

Përflitet në videon me 100 euro, Evis Kushi thyen heshtjen, reagon
Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, ka reaguar pas një videoje që po shpërndahet në rrjetet sociale, ku një grua shfaqet në një ambient publik duke folur në mënyrë të papërshtatshme dhe duke tundur një kartëmonedhë 100 euro.

Përmes një deklarate publike, Kushi ka mohuar kategorikisht se është ajo gruaja që shfaqet në video, duke pretenduar se bëhet fjalë për një përpjekje për keqpërdorimin e identitetit të saj dhe dëmtimin e imazhit publik.

Ajo ka bërë të ditur se për këtë rast i është drejtuar organeve kompetente me një kallëzim, duke kërkuar hetimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e personave që qëndrojnë pas publikimit dhe shpërndarjes së materialit, si dhe heqjen e videos nga platformat online.

Në reagimin e saj, deputetja thekson se nuk ka asnjë lidhje me përmbajtjen e videos dhe e konsideron të papranueshëm përdorimin e teknologjisë për të krijuar ose përhapur materiale që mund të cenojnë identitetin dhe dinjitetin e një personi.

“Personi në video nuk jam unë dhe nuk kam asnjë lidhje me këtë përmbajtje”, shprehet Kushi, duke shtuar se ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për zbardhjen e plotë të rastit.

Ajo e cilëson këtë çështje jo vetëm si një problem personal, por edhe si një shqetësim më të gjerë që lidhet me sigurinë dhe përgjegjësinë në hapësirën digjitale.

Kushi u bën thirrje autoriteteve të identifikojnë përgjegjësit dhe të marrin masa për ndalimin e shpërndarjes së mëtejshme të videos.

Një detaj që bie në sy është se një video me pretendime të ngjashme është trajtuar edhe më herët në media.E publikuar më 13 shtator ku një grua shfaqej duke marrë para nga një zarf, ndërsa videoja shoqërohej me një kartëmonedhë 100 euro dhe pretendohej se personi ishte Evis Kushi. Sipas verifikimit të publikuar në atë kohë, gruaja në pamje nuk ishte ish-ministrja e Arsimit. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin material që po qarkullon aktualisht.

Deri tani, mbetet për t'u parë se çfarë do të zbulojnë verifikimet e organeve kompetente dhe nëse do të identifikohen personat përgjegjës për publikimin e videos.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion