"Kemi reflektuar nga protesta”, deputetja Kushi: Për pensionistët kemi dashur të bëjmë më shumë, por ...

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se qeveria ka reflektuar pas protestave të zhvilluara në vend si dhe ka hedhur poshtë zërat kritikë se ka mungesë reagimi.
“Edhe pas protestave, që shpesh kam dëgjuar nëpër studio që ‘po s’ka reflektim’, padyshim që ka reflektim sepse qoftë ‘Besa’, qoftë ‘Prania besnike’, qoftë ‘Pasqyra Albania’, qoftë ‘Fol me kryeministrin’, të gjitha këto janë reflektim mbi atë dialogun e munguar që ne kemi kaq kohë që e kërkojmë nga protestuesit, po që në fakt nuk po ndodh”, deklaroi Kushi.
Ajo nënvizoi se ky reflektim është pasqyruar edhe në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, ku sipas saj janë adresuar kërkesat dhe shqetësimet e shtresave të ndryshme, përfshirë pensionistët dhe familjet e reja.
“Ashtu sikurse dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi reflektuar të gjitha ato kërkesa dhe ato shqetësime që kanë qoftë pensionistët, apo qoftë familjet e reja e kështu me radhë, pastaj mos hyj në detaje. Por që jemi optimistë, kjo pa diskutim. Ashtu siç jemi dhe kritikë ndaj vetes; nuk presim dhe jemi të hapur dhe ndaj kritikave”, deklaroi Kushi.
Duke u shprehur optimiste dhe e hapur ndaj kritikave, deputetja pranoi se qeverisja duhet të kishte bërë më tepër për të moshuarit, por sqaroi se kjo ka ardhur për shkak të pamundësisë financiare në të shkuarën.
“Unë mendoj që për pensionistët padyshim duhet të kishim bërë shumë më tepër dhe shumë më parë, dhe këtë e mendojmë të gjithë. Por jo se nuk kemi dashur, por nuk kemi mundur sepse ka patur sfida shumë të mëdha Shqipëria”, u shpreh ajo, duke shtuar se tashmë me arritjen e buxhetit në nivelin e 10 miliardë eurove, krijohen mundësitë për dyfishimin e bonusit dhe indeksimin për pensionistët.


