82 vite nga Çlirimi i Tiranës, aktivitete përkujtimore në kryeqytet

Aktualitet

82 vite nga Çlirimi i Tiranës, aktivitete përkujtimore në
Bashkia e Tiranës organizoi sot ceremoninë përkujtimore me rastin e 82-vjetorit të Çlirimit të Kryeqytetit, duke nderuar kujtimin dhe sakrificën e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 17 Nëntorit morën pjesë drejtues të Bashkisë së Tiranës dhe të Qarkut Tiranë, deputetë, përfaqësues të shoqatave të veteranëve, familjarë të dëshmorëve dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Sadi Vorpsi, vlerësoi sakrificën e të rinjve dhe të rejave që luftuan për çlirimin e Kryeqytetit, si dhe kontributin e çmuar të familjeve tiranase, të cilat mbështetën luftën për liri duke strehuar dhe ndihmuar luftëtarët antifashistë.

“Ndodhemi sot këtu para këtij monumenti, simbol i gjithë djemve dhe vajzave që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës, për të kujtuar një ndër ditët më historike të këtij qyteti. 82 vite më parë, në Tiranë agoi një ditë e re, e lirë nga pushtuesi i huaj, falë veprës më sublime që populli mund të bëjë, falë gjakut të mijëra të rinjve dhe sakrificës së qindra familjeve tiranase”, u shpreh Vorpsi.

Nënkryetari i Bashkisë solli në vëmendje edhe rolin e veçantë të qytetarëve të Tiranës gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke theksuar se solidariteti, mikpritja dhe guximi i tyre mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së qytetit.

“Shtëpitë përdhese të këtij qyteti u bënë foletë e ëndrrave, shpresave, idealeve të lartësuara, planeve dhe strehimit të gjithë atyre njerëzve që i dolën për zot kombit në ato ditë të errëta të historisë. Bujaria e njohur e tiranasve i hapi dyert për të gjithë ata që kaluan në ilegalitet”, theksoi ai.

Duke u ndalur te rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike, Vorpsi nënvizoi se nderimi i dëshmorëve dhe përcjellja e vlerave të lirisë te brezat e rinj përbëjnë një përgjegjësi të përbashkët.

“Është detyra jonë, por edhe e të gjithë brezave që do të vijnë, të nderojmë veprën e atyre që zgjodhën të vdisnin në këmbë për një popull, që ky popull të mos ishte i gjunjëzuar”, u shpreh nënkryetari Vorpsi, duke theksuar se idealet e lirisë, patriotizmit dhe integritetit moral duhet të vijojnë të udhëheqin përpjekjet për ndërtimin e një Shqipërie të denjë si anëtare e Bashkimit Europian.

Ceremonia përkujtimore u shoqërua nga interpretimi i Himnit Kombëtar dhe pjesëve muzikore nga Banda Frymore e Bashkisë së Tiranës, duke krijuar një atmosferë solemne në nderim të të rënëve për lirinë e Kryeqytetit.

Aktiviteti është pjesë e veprimtarive të organizuara nga Bashkia e Tiranës në kuadër të 17 Nëntorit, me qëllim përkujtimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së qytetit, si dhe ruajtjen e përcjelljen e vlerave historike dhe patriotike te brezat e rinj.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion