Provimi i jurisprudencës në shqip, studentët kundërshtojnë propozimin e Mickoskit: Kërkojmë të drejtën e plotë!

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk do të mund ta japin të gjithë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, sipas propozimit që kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se do t'i paraqitet qeverisë.
Mickoski deklaroi se pjesa teorike e provimit mund të zhvillohet në gjuhën në të cilën kandidatët kanë kryer studimet, përfshirë shqipen, turqishten dhe anglishten. Ndërsa pjesa praktike, ku simulohen proceset gjyqësore penale dhe civile, do të mbahet vetëm në maqedonisht.
Ky propozim nuk e përmbush kërkesën e studentëve shqiptarë, të cilët prej muajsh kërkojnë që provimi të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe.
Ai ngriti edhe pyetjen se përse kandidatëve nuk u lejohet të paktën t'i japin përgjigjet në shqip gjatë pjesës praktike. Sipas Ademit, edhe kjo mundësi është refuzuar gjatë takimit me përfaqësuesit institucionalë.
Studentët e konsiderojnë propozimin një përmirësim krahasuar me variantet e mëparshme, por kërkojnë shpjegime ligjore, afate konkrete dhe garanci për zbatimin e një zgjidhjeje të plotë.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë shqiptar, Bekim Sali, deklaroi se qeveria po punon për një zgjidhje që do të përfshijë edhe provimet e tjera profesionale.
“Kjo çështje po zgjidhet. Madje, jo vetëm për këtë provim, por edhe për provimet e tjera të kësaj natyre”, tha Sali, duke ia atribuuar përgjegjësinë për situatën qeverisjes së mëparshme.
Propozimi u kundërshtua edhe nga Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës, e cila akuzoi qeverinë se po e vendos gjuhën shqipe në të njëjtin nivel me gjuhët e huaja.
“Nëse deri sot gjuha shqipe ishte një gjuhë autoktone dhe zyrtare me ligj, por e ndaluar në përdorim, prej sot me propozimin e Qeverisë ajo bëhet një gjuhë e huaj ose gjuhë e minoriteteve”, thuhet në reagimin e kësaj force politike.
Përplasjet për përdorimin e shqipes janë shtrirë edhe mes dy forcave politike shqiptare, BDI-së dhe VLEN-it.
Nënkryetari i BDI-së, Arianit Hoxha, akuzoi institucionet për moszbatim të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ai pretendoi se në Institutin e Shëndetit Publik është dhënë udhëzim që dokumentet dygjuhëshe të mos pranohen dhe komunikimi zyrtar të bëhet vetëm në maqedonisht.
“Me çfarë të drejte një drejtoreshë e një institucioni shtetëror merr guximin të shpallë të pavlefshme dokumentet që përmbajnë gjuhën shqipe?”, pyeti Hoxha, duke kritikuar edhe VLEN-in.
Nga VLEN-i iu përgjigjën duke i kërkuar Hoxhës që t'i kërkojë llogari Ali Ahmetit për mënyrën se si është trajtuar statusi i gjuhës shqipe gjatë qeverisjes së BDI-së.
“Gjithë shqiptarët e dinë se pushteti i BDI-së ka qenë farsë e madhe. Mashtrim politik që keqpërdori sakrificën e një populli për t’i bërë milionerë disa funksionarë të përjetshëm, me dy banka në xhep”, thuhet në reagimin e VLEN-it
Debati për provimin e jurisprudencës ka nisur pas kërkesës së rreth 400 studentëve shqiptarë nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza”. Ata kanë dorëzuar një peticion dhe kanë protestuar dy herë, duke kërkuar të drejtën për ta dhënë provimin në gjuhën shqipe.


