"Shteti na ka gënjyer!" Historia e trishtë e 17-vjeçarit të gjobitur me 5 mln lekë që jeton në rrënoja

Erindi, 17-vjeçari që u bë i njohur pasi morën gjobën 5 milionë lek nga policia e shtetit, pasi sipas tyre ka goditur me gurë gjatë protestës së ditës së shtunë, tregoi jetën dhe vendin ku banon në kushte të mjerueshme.
Adoleshenti jeton me babain, motrën dhe vëllain pasi nëna i ka ndërruar jetë, prej një sëmundje të rëndë. Ai rrëfen se si lutet për një jetë më të mirë për të dhe familjen e tij, teksa nënën nuk do e harrojë derisa të vdesë.
Banesa ku ai banon është pothuaj e rrënuar. Dritat sic thotë ai, ka 10 muaj që i kanë prerë, ndërsa punonjës të bashkisë i kanë thënë se banesën do e rregullojnë, por deri më tani e kanë gënjyer.
Sakaq, motra e tij merr KEMP, por familjes nuk mund t’i mjaftojë paratë e KEMP-it. Sikur të mos mjaftonin këto, ai mori gjobën 5 mln lekë nga policia, por jo vetëm këtë.
Dje ai bëri rastin publik nga sheshi i protestës për Neës24 dhe për këtë mori një tjetër gjobë 50 mijë lekë të vjetra, për pjesëmarrja në tubim të paligjshëm. Ai rrëfen jo pa shpresë për një të ardhme të mirë, jetën e tij të përditshme.
Erindi: Kurani është gjithçka për mua. Shkoj në xhami. Kam mësuar vetë të shkoj. Nuk më ka mësuar njeri. Lutem për të pasur një të ardhme më të mirë, shtëpi të mirë, të jetoj si gjithë të tjerët. Asnjë ndihmë nga shteti. Vetëm gënjeshtra. Kanë ardhur do jua bëjmë shtëpinë.
Kanë ardhur punonjës të bashkisë. Na i kanë prerë dritat më parë, para 4 vjetësh. I prenë, babai i lidhi, ditën tjetër i prenë prapë dhe vunë gjobë 400 mijë lekë. Dritat kemi 10 muaj pa i paguar. Nëna më mungon shumë. Çdo gjë do ishte më ndryshe. Do isha më i lumtur sot. E kujtoj si gjithçka. Ajo është gjithçka për mua, pavarësisht se nuk jeton më.
Do jetë gjithçka për mua derisa të vdes. U gjobita prapë dje, 50 mijë lek. Se ke qenë me protestuesit. Dhashë intervistën dhe u gjobita me 50 mijë lek. Nuk më frikëson. Normal që do jem deri në fund.


