Shkencëtarët japonezë identifikojnë molekulën që mund të ngadalësojë plakjen e muskujve

Një zbulim shksencor në Japoni mund të hapë rrugën për trajtime të reja kundër dobësimit të muskujve, një prej problemeve më të zakonshme që shoqëron plakjen e organizmit.
Studiuesit e Universitetit të Kyushus kanë identifikuar një molekulë që mund të ndihmojë në ruajtjen e forcës muskulore dhe përmirësimin e aftësisë së trupit për të rigjeneruar indet e dëmtuara.
Bëhet fjalë për molekulën LASSS, e njohur si acidi lipoik trisulfur, e cila ka treguar rezultate premtuese gjatë eksperimenteve laboratorike.
Sipas shkencëtarëve, kjo substancë ndihmon në mbrojtjen e një proteine të rëndësishme, të quajtur faktori i rritjes së hepatociteve, që luan rol thelbësor në riparimin dhe rigjenerimin e indeve muskulore.
Studimi, i drejtuar nga profesori Ryuichi Tatsumi, krahasoi efektet e dy përbërjeve antioksiduese: LASSS dhe trisulfurit të glutationit.
Të dyja substancat arritën të reduktonin procesin e nitrimit të proteinës HGF, por LASSS rezultoi më efektive në ruajtjen e aktivitetit të saj dhe aktivizimin e mekanizmave të rigjenerimit muskulor.
Eksperimentet fillestare u zhvilluan te minjtë që vuanin nga atrofia muskulore në bisht, për të vlerësuar ndikimin e molekulës në riparimin e indeve.
Rezultatet, të publikuara në revistën shkencore Scientific Reports, sugjerojnë se kjo molekulë mund të ketë potencial në luftën kundër sarkopenisë.
Kjo gjendje karakterizohet nga humbja progresive e masës, forcës dhe funksionit të muskujve gjatë plakjes.
Megjithatë, zbulimi ndodhet ende në fazën e kërkimeve eksperimentale dhe nuk përbën një trajtim të provuar te njerëzit.
Shkencëtarët shpresojnë se studimet e ardhshme do të ndihmojnë në zhvillimin e terapive që ruajnë funksionin muskulor dhe përmirësojnë cilësinë e jetës në moshë të avancuar.


