Macron dhe bashkëshortja padisin komentatoren amerikane Candace Owens, pretendoi se Brigitte është burrë

Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, kanë paditur në një gjykatë federale në Nashville të SHBA-së komentatoren amerikane Candace Owens, për shkak të deklaratave të saj se Brigitte Macron është në të vërtetë burrë.
Padia, e depozituar më 4 nëntor, e akuzon Owens për përhapjen e pretendimeve të pavërteta lidhur me identitetin e Zonjës së Parë të Francës dhe marrëdhënien bashkëshortore të çiftit.
Sipas dokumentit gjyqësor, komentatorja pretendoi se Brigitte Macron kishte lindur si burrë dhe kishte marrë identitetin e një personi tjetër.
Në padi thuhet se Owens i bëri këto pretendime publikisht për herë të parë në mars të vitit 2024, duke deklaruar se ishte aq e bindur për atë që thoshte, sa do të vinte në bast të gjithë reputacionin e saj profesional.
Podcast me tetë episode dhe akuza të përsëritura
Sipas Macronëve, Owens nuk u ndal me deklaratat fillestare, por vijoi t’i përsëriste ato përmes një serie podcastesh me tetë episode, të titulluar “Becoming Brigitte”, si dhe në publikime të ndryshme në rrjetet sociale.
Çifti pretendon gjithashtu se komentatorja ka përhapur teori konspirative për martesën e tyre dhe ka ngritur akuza se ata kanë kryer krime për të fshehur atë që ajo pretendon se është e vërteta.
Në dokumentet e padisë thuhet se Owens ka përdorur podcastin për të përhapur pretendimet, ka shitur produkte që tallnin çiftin dhe ka mbledhur donacione të lidhura me përmbajtjen e publikuar për ta.
Sipas Yahoo News, padia e re vjen pas një përpjekjeje të mëparshme ligjore të Macronëve në shtetin e Delaware, në korrik 2025.
Owens u tërhoq nga ajo çështje më 27 tetor, pa cenuar të drejtën për ta ngritur sërish, pasi kishte kundërshtuar kompetencën e gjykatës për ta gjykuar personalisht.
Pse çështja u dërgua në Tennessee?
Avokatët e çiftit Macron argumentojnë se gjykata në Tennessee është vendi i përshtatshëm për shqyrtimin e çështjes, pasi Candace Owens jeton në Nashville dhe dyshohet se materialet në fjalë janë krijuar dhe publikuar prej saj në këtë shtet.
Nëpërmjet padisë, Emmanuel dhe Brigitte Macron kërkojnë dëmshpërblim për dëmet reale, të prezumuara dhe ndëshkuese, si dhe një urdhër gjykate që do ta ndalonte Owens të ripublikonte deklaratat që gjykata do t’i cilësonte si shpifëse.
Çifti ka kërkuar gjithashtu që çështja të shqyrtohet nga një juri gjyqësore.


