Pse kaq shumë puthje në publik në Spanjë?

Në Spanjë, puthjet janë kudo. Janë, sigurisht, puthjet e zakonshme në të dyja faqet kur takon dikë. Por, përtej tyre, janë edhe puthjet romantike. Më ka ndodhur të mbetem pas një çifti të moshës së mesme, që ndalon në mes të një rruge të frekuentuar për t'u puthur gjatë. Kam ndier një lloj nostalgjie teksa shihja adoleshentë që shkëmbenin puthje në parqe të mbushura me diell, ndërsa kam kaluar mes çifteve të dehura lehtë, që përqafoheshin e putheshin, ndërkohë që fishekzjarrët ndriçonin qiellin gjatë festivalit Las Fallas në Valencia. Madje, edhe kontabilistja ime i mbyll emailet me fjalën “besos” (puthje).
Pas më shumë se gjashtë vitesh që jetoj në Spanjë, jam mësuar tashmë me këto shfaqje publike të dashurisë. Por një shoqeje timen, e cila u kthye në Valencia pas një udhëtimi në Japoni, ato i ranë menjëherë në sy. Sapo doli nga stacioni i trenit, pa një çift që puthej në një stol. Pas qëndrimit në një vend ku shfaqjet publike të afeksionit janë shumë më të rralla, kjo pamje i dha një ndjenjë lehtësimi.
“Jam në shtëpi”, mendoi ajo.
Kjo më bëri të pyes veten: a është Spanja vërtet një vend ku njerëzit puthen më shumë se kudo tjetër? Dhe çfarë mund të na tregojnë këto shfaqje publike të afeksionit për kulturën, historinë dhe qëndrimin e spanjollëve ndaj intimitetit?
Një shpjegim mund të gjendet te mënyra se si spanjollët i shfrytëzojnë hapësirat publike. Në shumë zona të vendit, jeta e përditshme zhvillohet kryesisht jashtë shtëpisë, në rrugë, kafene dhe parqe plot gjallëri.
Një studim i Universitetit të Warwick-ut zbuloi se Spanja ishte ndër vendet ku njerëzit kanë nevojë për më pak hapësirë personale kur takojnë një person për herë të parë, madje më pak se fqinjët e saj mesdhetarë, Greqia, Italia dhe Portugalia.
Kjo prirje vihet re veçanërisht në sheshet e gjalla spanjolle, ku tarracat e lokaleve mbushen me miq që ulen pranë njëri-tjetrit, duke shijuar birra të vogla (cañas) nën rrezet e diellit.
Amparo Lasén, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin Complutense të Madridit, thotë se spanjollët priren të jenë më të drejtpërdrejtë në shprehjen fizike të afeksionit krahasuar me evropianët e veriut.
“Dallimi bëhet edhe më i dukshëm kur i krahason me vendet nordike apo me Anglinë”, shprehet ajo.
Ndoshta çështja nuk është se spanjollët janë më të dashur se njerëzit në vendet e tjera, por se ndihen më të lirshëm për ta shprehur këtë ndjenjë. Puthja në publik nuk është domosdoshmërisht një gjest i madh romantik; ajo është thjesht pjesë e pranueshme e jetës së përditshme.
Edhe mënyra e banimit mund të ketë ndikimin e saj. Rreth 65 për qind e popullsisë së Spanjës jeton në apartamente, përqindja më e lartë në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, rritja e vazhdueshme e çmimeve të pronave e ka bërë gjithnjë e më të vështirë largimin e të rinjve nga shtëpitë e prindërve.
Ndoshta gjëja më e veçantë për puthjet në Spanjë është pikërisht fakti se ato nuk përbëjnë më asgjë të jashtëzakonshme.
Sipas Lasén, mungesa e privatësisë në shtëpi mund t'i shtyjë njerëzit t'i zhvendosin momentet intime në hapësirat publike.
“Në Spanjë kemi një krizë strehimi, çka do të thotë se jemi mësuar më shumë të takohemi me miqtë jashtë, në bare e restorante, sesa në shtëpitë tona”, shpjegon ajo.
Kjo, shton sociologia, bën që çiftet të kërkojnë ndonjë stol të veçuar për të kaluar pak kohë vetëm, ose të paktën pothuajse vetëm.
Megjithatë, sipas Lasén, kriza e strehimit nuk është arsyeja themelore e shfaqjeve publike të afeksionit. Shumë më i rëndësishëm është qëndrimi i çlirët i shoqërisë ndaj tyre.
“Nëse askush nuk të sheh shtrembër, ose nëse ti vetë nuk shqetësohesh për mendimin e të tjerëve, atëherë kjo është ajo që e bën më të lehtë shprehjen e ndjenjave në publik”, thotë ajo.
Isabel Nieto Tous, 28 vjeçe, e cila u kthye të jetojë me prindërit tre vjet më parë, pas një periudhe jashtë vendit, e njeh mirë vështirësinë e takimeve romantike kur mungon privatësia.
“Nuk doja t'u tregoja prindërve se po qëndroja në shtëpinë e dikujt që sapo kisha njohur, sepse ishte paksa e sikletshme. Prandaj u thosha se do të flija te një shoqe”, tregon ajo.
Tous, e cila ka jetuar në Japoni, Francë, Gjermani dhe Tunizi, mendon se mënyra e krijimit të marrëdhënieve romantike në Spanjë është ndryshe. Sipas saj, ngrohtësia dhe afërsia shfaqen që në fillim.
“Njerëzit bëhen shumë shpejt të afërt dhe fizikisht të çlirët. Mund të jesh në një marrëdhënie të papërcaktuar, ta kesh takuar dikë vetëm dy herë dhe tashmë të kapeni për dore në publik apo të keni shumë kontakte fizike”, thotë ajo.
“Mendoj se puthjet në publik pranohen gjerësisht. Nuk ka ndonjë dallim mes asaj që ndodh brenda shtëpisë dhe asaj që ndodh jashtë saj. Njerëzit sillen njësoj si në hapësirat intime, ashtu edhe në ato publike”, shton ajo.
Nga represioni te liria: si ndryshoi Spanja
Edhe pse sot shfaqjet publike të afeksionit janë një pamje e zakonshme në Spanjë, dikur shprehja e seksualitetit ishte nën kontroll të rreptë.
Gjatë diktaturës së Francisco Francos (1939–1975), vlerat konservatore katolike dhe legjislacioni kufizues përcaktonin sjelljen në publik. Homoseksualiteti ishte i kriminalizuar dhe shfaqjet publike të dashurisë mbikëqyreshin nga autoritetet. Çiftet mund të gjobiteshin madje edhe për një puthje në publik.
Pas vdekjes së Francos, në vitin 1975, Spanja përjetoi një transformim të thellë kulturor.
Në Madrid, lëvizja kundërkulturore e njohur si “La Movida Madrileña” u shndërrua në simbol të lirisë dhe vetëshprehjes. Regjisorë si Pedro Almodóvar sfiduan vlerat konservatore të së kaluarës, ndërsa kjo lëvizje nxiti një shoqëri ku afeksioni dhe seksualiteti po bëheshin gjithnjë e më të dukshëm në jetën publike.
Por ky ndryshim rrënjësor nuk ndodhi vetvetiu. Aktivistët e komunitetit LGBT kishin protestuar për dekada me radhë, duke hapur rrugën drejt një shoqërie më të lirë dhe më pranuese.
Një nga protestat më të rëndësishme u zhvillua në Madrid, më 23 shkurt 1987. Një vit më parë, dy gra ishin arrestuar pasi ishin puthur në sheshin Puerta del Sol, në Madrid, dhe ishin mbajtur për dy ditë në paraburgim, në bazë të ligjit për “Skandalin Publik” (Escándalo Público).
Arrestimi i tyre nxiti grupet vendase të aktivistëve të organizonin një protestë masive, gjatë së cilës pjesëmarrësit u puthën publikisht për të tërhequr vëmendjen ndaj rastit.
Që nga ai vit e deri rreth viteve 1990, marshimet e Krenarisë (Pride) në Madrid përfundonin me një manifestim të tillë në Puerta del Sol.
Puthja në rrugë ishte shndërruar kështu në një akt të fuqishëm proteste paqësore. Në vitin 1988, vepra penale e “skandalit publik” u shfuqizua.
Liria nuk përjetohet njësoj nga të gjithë
Sot, shfaqjet publike të afeksionit janë të zakonshme në të gjithë Spanjën, por kjo liri nuk përjetohet njësoj nga të gjithë.
Sipas Lasén, një çift i moshuar që puthet në një stol publik mund të tërheqë më shumë vëmendje, ndërsa çiftet e të njëjtit seks mund të përballen me më shumë paragjykime dhe vështrime kritike.
“Jo të gjithë ndihen njësoj të lirë për ta shfaqur publikisht marrëdhënien e tyre”, thekson ajo.
Për Paula Furió, ish-fotografe dasmash në Valencia, puthja është simbol i diçkaje shumë më të madhe.
“Ka ende shumë për të bërë, por shoqëria spanjolle, në përgjithësi, është shumë e hapur. Puthja është vetëm maja e ajsbergut: ajo të jep një ide për lirinë që mund të përjetosh në Spanjë. Është një shprehje e lirisë”, thotë ajo.
Kjo më ktheu sërish te shoqja ime që po kthehej nga Japonia dhe te ndjenja e lehtësimit që përjetoi kur pa një çift duke u puthur në stol.
Ndoshta ajo nuk ishte thjesht e lumtur që ishte kthyer në shtëpi. Ndoshta ishte e lumtur që ndodhej sërish në një vend ku të qenit vetvetja vlen më shumë sesa respektimi i normave të sjelljes së rezervuar.
Ndoshta gjëja më e veçantë për puthjet në Spanjë është pikërisht fakti se ato janë bërë aq të zakonshme, sa askush nuk i sheh më si diçka të jashtëzakonshme.


