Meloni merr vendimin për karburantet, Italia gati të ulë taksat për naftën dhe benzinën

Bota

Meloni merr vendimin për karburantet, Italia gati të ulë taksat

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni deklaroi se qeveria e saj është e gatshme të ndërhyjë sërish për të ulur taksat mbi benzinën dhe naftën, në një kohë kur çmimet e karburanteve vijojnë të rëndojnë mbi konsumatorët.

Pas samitit të vendeve mesdhetare Med9 në Split të Kroacisë, Meloni bëri të ditur se ekzekutivi po shqyrton përdorimin e rreth 160 milionë eurove për të zbutur kostot e karburanteve.

Megjithatë, nga sa pohojnë mediat ne Itali, qeveria ende nuk ka vendosur nëse do të ndërhyjë menjëherë apo do t’i ruajë fondet për momentin kur të përfundojnë masat aktuale të kufizimit të çmimeve.

Mekanizmi i parashikuar mundëson përdorimin e të ardhurave shtesë nga TVSH-ja, të krijuara prej rritjes së çmimeve, për të financuar uljen e akcizës.

Paralelisht, Meloni i ka kërkuar Komisionit Europian më shumë fleksibilitet në zbatimin e rregullave buxhetore, duke argumentuar se inflacioni ka shkaktuar miliarda euro shpenzime shtesë për shtetin italian, pa qenë rezultat i vendimeve të reja qeveritare.

Ajo përmendi rritjen automatike të pensioneve, përfitimeve sociale dhe kostove të projekteve publike.

Sipas burimeve europiane, Komisioni pritet të japë më 8 tetor dritën jeshile për aktivizimin e klauzolës kombëtare të fleksibilitetit të kërkuar nga Italia për energjinë dhe mbrojtjen, çështje që më pas do të diskutohet në mbledhjen e ministrave të Financave të BE-së në nëntor.

Megjithatë, Brukseli sqaron se rregullat ekzistuese lejojnë tashmë marrjen parasysh të inflacionit më të lartë se parashikimet gjatë vlerësimit të shpenzimeve shtetërore, por kjo nuk nënkupton automatikisht të drejtën për të shpenzuar më shumë.

Pika më e diskutueshme mbetet kërkesa italiane për të përdorur të ardhurat shtesë nga inflacioni për të financuar masa kundër krizës energjetike, pasi rregullat europiane nuk e lejojnë automatikisht një praktikë të tillë.

Meloni tha se e ka diskutuar çështjen me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe se edhe Greqia ka ngritur shqetësime të ngjashme.

ME TE LEXUARAT