Gazeta italiane “vajton” largimin e Lara Colturit, historia e humbjes së talentes që përfaqëson Shqipërinë

Ishte thjesht çështje kohe; nuk shtrohej pyetja nëse do të ndodhte, por kur. Lara Colturi arriti fitoren e saj të parë në Kupën e Botës, duke triumfuar në disiplinën e sllallomit në Gurgl.
Sportistja, e cila prej kohësh garon për Shqipërinë, ka dëshmuar talentin e saj të jashtëzakonshëm, një talent që tani kurorëzohet me atë që pritet të jetë i pari nga shumë triumfe të tjera.
Për Italinë, ndërkohë, ky është një moment domethënës, duke qenë se në këtë disiplinë teknike ajo nuk kishte prekur podiumin që nga viti 2011, ndërsa fitorja i mungonte prej gati 20 vitesh.
Kështu shkruan gazeta italiane “Virgilio”, teksa rrëfen edhe rrjedhjen e ngjarjeve që çuan në largimin e Colturit nga Italia.
“Historia dihet prej kohësh dhe, sa më shumë kalon koha, aq më e pamundur bëhet një kthim pas. Në vitin 2022, Lara Colturi dhe familja e saj vendosën që ajo të garonte nën flamurin shqiptar. Në thelb, ky ishte një vendim i prindërve të saj, ish-kampiones Daniela Ceccarelli dhe babait të saj, trajnerit Alessandro, për të ruajtur kontrollin e plotë mbi stafin, planifikimin dhe përgatitjen atletike të Larës.
Nëse skiatorja do të ishte përfshirë në programet e FISI-t (Federata Italiane e Sporteve Dimërore), ajo do të kishte qenë e detyruar t'u përmbahej protokolleve të ekipeve kombëtare, duke hequr dorë kështu nga mundësia për të pasur një ekip privat. Sipas familjes, një zgjedhje e tillë do ta kishte ngadalësuar ritmin e zhvillimit të saj; nëna e saj,
Daniela, e cila mbante tashmë një pozicion në Federatën Shqiptare, përshpejtoi procesin e natyralizimit, duke bërë të mundur që Lara të debutonte në Kupën e Botës në moshën 16-vjeçare”, shkruan gazeta italiane.
Colturi i solli Shqipërisë titullin e parë të kampionit të botës, ndonëse vendi ynë nuk disponon as infrastukturën më minimale për zhvillimin e sportit të skive.


