"Lufta me Rusinë po afron shpejt”, paralajmërimi i shërbimit inteligjent të Gjermanisë: Do të jetë më e rrezikshmja

Gjermania rrezikon të përfshihet në një konflikt të dhunshëm me Rusinë, i tha parlamentarëve Martin Jäger, kreu i agjencisë së inteligjencës së jashtme të Gjermanisë (BND), sipas një raporti në Politico.eu.
“Gjermania është bërë një pengesë e madhe për projektimin e fuqisë hegjemonike të Rusisë në Evropë dhe, si rezultat, një objektiv kryesor i veprimeve ruse”, deklaroi Jäger.
“Rusia është e vendosur ta gjunjëzojë Ukrainën këtë dimër që vjen. Duhet të presim sulme ruse me një ashpërsi dhe brutalitet që nuk i kemi parë ende në këtë shkallë. Lufta në Ukrainë po hyn në një fazë të re dhe jashtëzakonisht të rrezikshme”, vijoi ai.
Jäger megjithatë duhej të pranonte se aktualisht nuk sheh asnjë provë që Rusia është gati të sulmojë një vend anëtar të NATO-s.
“Megjithatë ne e konsiderojmë plotësisht të mundur që Rusia mund të kryejë operacione të synuara, në shkallë më të vogël”.


