Lë pas romancat drejt një drame tronditëse, Hande Erçel pjesë e një projekti ndërkombëtar

Showbiz

Lë pas romancat drejt një drame tronditëse, Hande Erçel

E njohur për publikun shqiptar nga seriali turk “Dashuria është në ajër”, i transmetuar në TV Klan, Hande Erçel po përgatitet të provojë veten në një sfidë të re profesionale. Aktorja turke do të luajë rolin kryesor në filmin ndërkombëtar “Diaspora”, me regji dhe skenar nga kineasti iranian Nader Saeivar. Xhirimet pritet të nisin në fillim të vitit 2027 në Berlin të Gjermanisë.

Në film, Hande do të interpretojë Merven, një grua turke që, pas humbjes tragjike të bashkëshortit, zhvendoset në Gjermani me djalin e saj 12-vjeçar, me shpresën për një jetë më të mirë. Megjithatë, ajo përballet me një situatë të vështirë që e detyron të luftojë për drejtësi, ndërsa ndeshet me paragjykimet dhe diskriminimin.

Pjesë e kastit do të jetë edhe aktori gjerman Moritz Bleibtreu. Filmi do të realizohet në tri gjuhë, gjermanisht, anglisht dhe turqisht, duke sjellë një histori me dimension ndërkombëtar dhe tema të ndjeshme shoqërore.

Përpara xhirimeve, Hande pritet të mbërrijë në Berlin rreth një muaj më herët për t’u përgatitur për rolin, përfshirë punën gjuhësore dhe provat me ekipin e filmit.

Produksioni do të realizohet nga kompania gjermane Arthood Films dhe ajo turke Sky Films. Për aktoren, e njohur gjithashtu nga seriale të tjera turke dhe projekte kinematografike, “Diaspora” shënon një mundësi për të eksploruar një personazh më kompleks, larg roleve romantike me të cilat është identifikuar shpesh.

Xhirimet janë planifikuar të nisin në fillim të vitit 2027, ndërsa data e premierës ende nuk është bërë publike.

ME TE LEXUARAT