Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e Berishës për masën e sigurisë, çfarë pritet të ndodhë me çështjen

Politikë

Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e Berishës për

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe duke e kthyer çështjen për rishqyrtim.

Sipas njoftimit zyrtar, me shumicë votash, Kushtetuesja vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 00-2025-658, të datës 22 prill 2025, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese vlerëson se masa e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndërhyn në lirinë e lëvizjes, të garantuar nga neni 38 i Kushtetutës. Sipas saj, Gjykata e Lartë nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të Berishës lidhur me nevojën dhe përshtatshmërinë e kësaj mase.

Ndërkohë, për pretendimet e tjera që lidhen me cenimin e së drejtës për proces të rregullt ligjor, Kushtetuesja vlerësoi se ato kanë marrë përgjigje nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm dhe se arsyetimi i tyre nuk rezulton arbitrar apo i pamjaftueshëm nga pikëpamja kushtetuese.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet e përfaqësimit të Berishës, në vlerën 60 mijë lekë, t’i ngarkohen Ministrisë së Financave. Vendimi i plotë dhe i arsyetuar do të publikohet brenda afateve ligjore.

ME TE LEXUARAT