Konsullatë serbe në Shkodër? Majko: Nuk është një shkëmbim i barabartë me atë në Luginën e Preshevës

Kosovë&Rajon

Konsullatë serbe në Shkodër?  Majko: Nuk është një

Ish-kryeministri Pandeli Majko ka reaguar pas marrëveshjes në parim mes Shqipërisë dhe Serbisë për hapjen e një zyre konsullore serbe në Shkodër dhe një zyre konsullore shqiptare në Bujanoc.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Majko ka komentuar këtë zhvillim duke vënë në dukje dallimin mes dy qyteteve ku pritet të hapen zyrat konsullore.

Sipas tij, vendosja e një përfaqësie serbe në Shkodër nuk mund të shihet thjesht si një çështje administrative, duke theksuar se Serbia ka një prani të veçantë historike dhe politike në këtë zonë.

“Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë”, ka shkruar Majko, duke shtuar se krahasimi me hapjen e një zyre shqiptare në Bujanoc është një ironi.

Ai ka nënvizuar se Bujanoci ndodhet në territorin e Serbisë dhe është një zonë ku jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptar, ndërsa Shkodra është një qytet brenda territorit të Shqipërisë.

Marrëveshja mes dy vendeve për hapjen e zyrave konsullore synon lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe forcimin e komunikimit institucional, por ka sjellë edhe reagime politike për shkak të ndjeshmërive historike dhe çështjeve që lidhen me shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Konsullatë serbe në Shkodër?!

Në Shkodër konsullata serbe do të ketë më rëndësi se a vetë minoriteti!

Kundrejt hapjes së kosullatës serbe në Shkodër do të hapet konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës! Krahasimi është më shumë se një ironi…!

Lugina e Preshevës është një vazhdimësi teritoriale e banuar nga shqiptarët e mbetur në sovranitetin e Serbisë!

Konsullata në Luginën e Preshevës “shmang” Kosovën! Në Shkodër, konsullata serbe ka Malin e Zi në mes!

Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standart! Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër!

Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë”, shkruan Majko.

ME TE LEXUARAT