Reforma Territoriale, PS : Njësitë e përfshira në proces do të ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane, por....

Partia Socialiste ka sqaruar zhurmën e krijuar nga lajmet e fundit për shkrirjen e 15 bashkive dhe zbritjen e tyre në 46 në të gjithë vendin.
Nëpërmjet një reagimi zyrtar ditën e sotme, selia e socialistëve dhe grupi i reformës Territoriale, bën me dije se procesi nuk prek qendrat urbane, bashkitë apo emrin e tyre.
Por pranon se nuk do të kenë kryetar bashkie, pra do kenë nënkryetar dhe këshill bashkiak, por do i bashkohen bashkive më të mëdha fqinje të tyre.
“Bashkitë e përfshira në këtë proces ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane. Ato përfshihen në një strukturë të re administrative përmes bashkimit me bashkitë fqinje, duke vijuar të kenë statusin e qytetit përbërës brenda njësisë së re vendore. Çdo qendër e prekur nga ky proces do të vijojë të ketë përfaqësim institucional, përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak, si dhe një rol të përcaktuar në planifikimin vendor, organizimin e shërbimeve dhe administrimin e çështjeve të komunitetit”, nënvizohet në njoftimin e PS-së.
Në fund theksohet se ky proces synon një organizim më efikas të qeverisjes vendore, duke ruajtur identitetin, historinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve me territorin ku jetojnë.
Njoftimi i Partisë Socialiste:
“Përshëndetje. Një sqarim dhe informacion shtesë në lidhje me lajmet që po qarkullojnë nëpër media sa i takon procesit të Reformës Administrativo – Territoriale.
Konsolidimi territorial nuk sjell “zhdukjen” e asnjë bashkie apo qyteti.
Bashkitë e përfshira në këtë proces ruajnë emrin, identitetin dhe qendrën e tyre urbane. Ato përfshihen në një strukturë të re administrative përmes bashkimit me bashkitë fqinje, duke vijuar të kenë statusin e qytetit përbërës brenda njësisë së re vendore.
Çdo qendër e prekur nga ky proces do të vijojë të ketë përfaqësim institucional, përmes nënkryetarit përkatës dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak, si dhe një rol të përcaktuar në planifikimin vendor, organizimin e shërbimeve dhe administrimin e çështjeve të komunitetit.
Ky proces synon një organizim më efikas të qeverisjes vendore, duke ruajtur identitetin, historinë dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve me territorin ku jetojnë”.

Çfarë parashikon Reforma Territoriale
Deputetët e grupit parlamentar të PS, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale kanë depozituar në Kuvend propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale.
Sipas projektligjit, Shqipëria do të ketë 46 bashki, 71 qytete dhe 387 Njësia Administrative. Numri i qarqeve do te jetë 12. Aktualisht vendi është i organizuar në 61 bashki dhe 12 qarqe.
Bashkitë që do të shkrihen janë Fushe-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh e Përrenjas.
Projektligji përcakton se bashkia mbetet njësia bazë e qeverisjes vendore dhe do të përbëhet nga qytetet, të cilat do të kenë status të veçantë ligjor të rregulluar me ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor.

Ndarja
Qytetet do të përbëhen nga njësi administrative dhe/ose fshatra, ndërsa organizimi dhe përfaqësimi i bashkisë do të mbështeten në parimin e përfaqësimit proporcional të qyteteve përbërëse, në raport me popullsinë e tyre.
Në nenin 2 të projektligjit përcaktohet se emërtimi, shtrirja territoriale, kufijtë, qendra dhe njësitë administrative të çdo bashkie do të jenë të përcaktuara në hartat dhe tabelat bashkëlidhur ligjit, të cilat janë pjesë përbërëse e tij.
Projektligji parashikon gjithashtu që këshillat bashkiakë të kenë të drejtën të ndryshojnë emërtimin, shtrirjen territoriale dhe kufijtë e njësive administrative përbërëse dhe nënndarjeve të tyre, sipas nevojave të komunitetit dhe efektshmërisë administrative.


