Shpërthimi me 3 viktima në Shkodër: Nëna e Bleona Çelajt: “Vajza dhunohej nga bashkëshorti”

Nëna e 24-vjeçares Bleona Çobaj që humbi jetën së bashku me dy fëmijët e saj në ngjarjen e rëndë në Domen, ka deklaruar se vajza e saj ishte dhunuar prej vitesh nga bashkëshorti.
Sipas dëshmisë së saj, familja kishte mësuar rreth një vit më parë për dhunën që pretendohet se vajza po përjetonte.
E ëma tregon se vajza i kishte rrëfyer për dhunën dhe se familjarët kishin shkuar për ta marrë, por më pas ajo kishte mohuar gjithçka.
Familjarët dyshojnë se tërheqja e deklarimeve ka ardhur për shkak të frikës dhe kërcënimeve që, sipas tyre, i janë bërë nga bashkëshorti.
Nëna tregon gjithashtu se gjatë komunikimeve me video kishte vënë re shenja në trupin e vajzës, ndërsa ajo i kishte thënë se ishte rrëzuar.
Sipas familjes, komunikimi i 24-vjeçares me prindërit ishte ndërprerë pothuajse plotësisht gjatë vitit të fundit.
Ajo, sipas tyre, nuk kishte një celular personal dhe komunikonte shumë rrallë me familjen, kryesisht përmes telefonit të bashkëshortit.
Familjarët deklarojnë gjithashtu se prej rreth tre vitesh vajza nuk ishte sjellë në Shqipëri nga bashkëshorti i saj dhe se gjatë vitit të fundit komunikimet me familjen e saj ishin shkëputur pothuajse fare.
Nëna dhe familjarët ngrenë dyshime se dhuna e pretenduar mund të ketë ndikuar në gjendjen e saj dhe nuk përjashtojnë mundësinë që ajo të ketë kryer vetëvrasje.
Megjithatë, kjo mbetet një pistë dhe jo një përfundim, ndërsa rrethanat e sakta të vdekjes duhet të përcaktohen nga ekspertiza mjeko-ligjore dhe hetimi.
Familjarët dyshohet se disponojnë prova që lidhen me pretendimet për dhunën dhe kërkojnë që ato të merren në shqyrtim nga Policia dhe organet e drejtësisë.
Ata kërkojnë që çështja të hetohet deri në fund dhe të mos mbyllet pa u zbardhur plotësisht se çfarë ka ndodhur me 24-vjeçaren dhe dy fëmijët e saj.


