Tensionet në Hormuz rikthejnë frikën për naftën, tregjet ndërkombëtare alarmohen nga rreziku i furnizimit

Përshkallëzimi i tensioneve në Ngushticën e Hormuzit ka rikthyer pasigurinë në tregjet globale të energjisë, duke ushtruar presion të ri mbi çmimet e naftës dhe karburanteve në Evropë.
Pas një periudhe të shkurtër qetësimi të krijuar nga armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, situata në një nga korridoret më strategjike të transportit të naftës në botë është tensionuar sërish.
Kalimi i cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit vijon të konsiderohet me rrezik të lartë, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ndikuar menjëherë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Investitorët po monitorojnë me shqetësim situatën, pasi kjo rrugë detare ka një rol kyç në furnizimin global me naftë dhe çdo ndërprerje e mundshme mund të sjellë rritje të mëtejshme të çmimeve.
Në ditët e fundit janë raportuar sulme ndaj disa cisternave të naftës, duke shtuar frikën për ndërprerje të furnizimit dhe një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka bërë të ditur se ka goditur dhjetëra objektiva ushtarake në Iran, përfshirë qendra komanduese, baza raketash dhe dronësh, sisteme të mbikëqyrjes bregdetare, pozicione të mbrojtjes dhe kapacitete detare të Gardës Revolucionare.
Tensionet në Gjirin Persik mbeten një nga faktorët kryesorë që mund të ndikojnë në ecurinë e çmimeve të energjisë në javët e ardhshme.


