Humbi jetën pas ndërhyrjeve në spital, Ministria e Shëndetësisë kërkon hetim për vdekjen e 52-vjeçarit në Durrës

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka urdhëruar zhvillimin e një hetimi të thelluar administrativ për mënyrën se si është trajtuar rasti i një 52-vjeçari me inicialet A.A. nga Durrësi.
Sipas njoftimit zyrtar, verifikimet do të përfshijnë jo vetëm procedurat e ndjekura nga strukturat spitalore, por edhe veprimet dhe përgjegjësitë e shërbimeve sociale që kanë qenë të përfshira në menaxhimin e rastit.
Për këtë qëllim, drejtues të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të Shërbimit Social Shtetëror ndodhen në terren, ku po kryejnë kontrolle dhe po mbikëqyrin procesin e hetimit administrativ në strukturat përkatëse në Durrës.
Ministria bën me dije se pacienti ndodhet aktualisht i shtruar në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku po merr trajtim mjekësor. Paralelisht, po shqyrtohet i gjithë dokumentacioni shëndetësor dhe administrativ, si edhe përgjegjësitë e personave të përfshirë në trajtimin dhe transportimin e tij.
Sipas autoriteteve, në përfundim të hetimit do të merren të gjitha masat administrative ose ligjore që do të rezultojnë të nevojshme, ndërsa theksohet angazhimi për transparencë të plotë dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes.
52-vjeçari, përdorues heroine, përfitues i trajtimit me metadon dhe mbartës i HIV-it, kishte kaluar afro dy muaj në spitale dhe rreth 20 ditë më parë ishte operuar në Qendrën Spitalore Universitare. Pas rikthimit në Durrës dhe daljes nga spitali, gjendja e tij shëndetësore u rëndua, duke bërë të domosdoshme një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin Rajonal të Durrësit.
Aktualisht ai ndodhet në repartin e reanimacionit nën kujdesin e ekipit mjekësor. Mjekët bëjnë të ditur se gjendja e tij paraqitet e qëndrueshme pas operacionit të fundit dhe, nëse ecuria vijon pozitive, pritet të transferohet në pavion.


