“Ke pesë minuta”, Rama i dha afatin Ferit Hoxhës për t’u bërë ministër i Jashtëm, diplomati rrëfen bisedën në makinë

Politikë

“Ke pesë minuta”, Rama i dha afatin Ferit Hoxhës për
“Ke pesë minuta.” Kaq kohë i la kryeministri Edi Rama diplomatit Ferit Hoxha për të menduar nëse do të pranonte propozimin për të marrë drejtimin e diplomacisë shqiptare. Një episod që Hoxha e ka rrëfyer për herë të parë në një intervistë për Report Tv, duke zbuluar prapaskenat e bisedës që zhvilluan gjatë një udhëtimi me makinë nga aeroporti drejt Brukselit.

Në atë kohë, Ferit Hoxha mbante detyrën e ambasadorit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian. Sipas rrëfimit të tij, ishte vetë kryeministri Rama ai që e vuri përballë një propozimi të papritur, duke i bërë një pyetje që do të ndryshonte rrjedhën e karrierës së tij diplomatike.

“Rrugës nga aeroporti për në Bruksel, kryeministri më bëri një pyetje. ‘Çfarë përgjigjeje do të më jepnit nëse unë, në cilësinë e kryeministrit, do t’ju thosha se vendi ka nevojë për ju?’”, tregoi Hoxha.

Diplomati tha se fillimisht u mendua për rreth dy minuta dhe më pas iu përgjigj se diplomatët janë nëpunës publikë. Megjithatë, ai nuk e fshehu pasigurinë përballë një përgjegjësie të tillë, duke i kërkuar kryeministrit pak kohë për të reflektuar.

“Unë nuk e di nëse jam i zoti ta bëj këtë detyrë. Nuk jam përgatitur për të, nuk e kam menduar ndonjëherë dhe nuk e kam pasur në planet e mia. Më lini të mendohem pak”, ishte përgjigjja e tij.

Por Rama nuk i dha shumë kohë për të vendosur. “Ke pesë minuta”, i tha kryeministri, duke e vendosur diplomatin përballë një vendimi të rëndësishëm brenda një afati të shkurtër.

Hoxha pranoi se propozimi e kishte bërë jashtëzakonisht të lumtur, por njëkohësisht e kishte vënë në merak nëse do të ishte në gjendje të përmbushte detyrën. Ai shpjegoi se, pavarësisht karrierës së gjatë prej 35 vitesh në diplomaci, marrja e drejtimit të Ministrisë së Jashtme përbënte një sfidë krejt tjetër.

Sipas tij, gjatë karrierës kishte punuar gjithmonë me çështje të caktuara dhe me një fokus të përcaktuar, ndërsa drejtimi i diplomacisë kërkon një këndvështrim shumë më të gjerë.

“Kur vjen në krye të diplomacisë, duhet t’i shohësh gjërat në 360 gradë. Mbi të gjitha, përgjegjësia është shumë më e madhe, sepse është politike, profesionale dhe institucionale”, u shpreh Hoxha.

Ai u ndal edhe te një tjetër aspekt i veçantë i këtij ndryshimi: rikthimi për të drejtuar institucionin ku kishte nisur dhe ndërtuar karrierën e tij. Sipas tij, edhe pse mund të duket e thjeshtë të kthehesh në një vend që e njeh prej vitesh, në realitet kjo përbën një sfidë më vete.

“Duket sikur është e lehtë të kthehesh e të drejtosh shtëpinë ku ke lindur dhe je rritur, por nuk është aq e lehtë”, përfundoi ai rrëfimin në Report Tv.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion