Ia la për t’i rregulluar timonin, mekaniku del xhiro me makinën e klientes dhe merr 7 mijë euro gjoba

Soft

Ia la për t’i rregulluar timonin, mekaniku del xhiro me makinën

Një makinë e dërguar për riparim u kthye në një makth ligjor për një avokate nga Trieste e Italisë. Gruaja pretendon se humbi kontaktin me automjetin pasi ia dorëzoi një mekaniku për një problem teknik, ndërsa më pas filluan t’i mbërrinin gjoba për shkelje që, sipas saj, nuk i kishte kryer ajo.

Në total, detyrimet e krijuara nga përdorimi i automjetit kanë arritur në rreth 7 mijë euro.

Gjithçka nisi në maj të vitit 2024, kur gruaja ndodhej në Cervignano del Friuli dhe makina e saj pësoi një defekt në timon. Automjeti iu dorëzua një mekaniku nga Trieste, me qëllim që të identifikonte problemin dhe ta riparonte.

Sipas rindërtimit të çështjes, mekaniku dyshohet se e përdori automjetin edhe jashtë qëllimit për të cilin i ishte besuar. Më 15 korrik 2024, pronares i mbërriti një gjobë për parkim në një hapësirë të rezervuar për personat me aftësi të kufizuara.

Kjo ishte vetëm e para e një serie gjobash që nisën të mbërrinin në emër të pronares, ndaj ajo kontaktoi mekanikun për të kërkuar shpjegime, por situata u komplikua më tej.

Sipas dokumenteve të çështjes, ndër shkeljet e evidentuara ishte edhe qarkullimi i automjetit pavarësisht një sekuestrimi administrativ të mëparshëm. Hetimet pretendojnë gjithashtu se mekaniku u ndalua duke drejtuar makinën, ndërkohë që kishte patentën e pezulluar.

Pronareja, nga ana tjetër, këmbëngul se nuk i kishte dhënë autorizim për përdorimin personal të automjetit. Sipas versionit të saj, qëllimi i vetëm i dorëzimit të makinës ishte diagnostikimi dhe riparimi i defektit.

Për shkak të gjobave të përsëritura dhe humbjes së kontrollit mbi automjetin, avokatja u përpoq të gjente një zgjidhje me mekanikun, por pa rezultat. Në përpjekje për të zbuluar se ku ndodhej automjeti, gruaja përdori edhe Google Street View. Teksa kërkonte adresën e mekanikut, ajo pretendon se njohu makinën e saj të parkuar përpara banesës së tij në një nga imazhet e disponueshme online.

Mes gjobave dhe masave administrative të regjistruara, shuma totale që pronarja rrezikon të paguajë arrin në rreth 7 mijë euro.

ME TE LEXUARAT