“Gjeja një…”, si vidheshin identitetet e evropianëve dhe prodhoheshin pasaporta për emigrantët shqiptarë

Aktualitet

“Gjeja një…”, si vidheshin identitetet e

SPAK ka identifikuar personat e përfshirë në një rrjet të gjerë të prodhimit të dokumenteve false dhe ndihmës për kalim të jashtëligjshëm të kufijve.

Po ashtu janë gjetur ndërmjetësit e personave shqiptarë që kërkonin të udhëtonin në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada apo Amerikë, pa harruar dhe mënyrën e pagesave.

Agjencitë e udhëtimit “Boris Travel” dhe “Domi Travel” kujdeseshin për transportimin e dokumenteve të falsifikuara dhe personave që kërkonin të udhëtonin me to. Po ashtu, merreshin me akomodimin dhe udhëzimet e emigrantëve për itinerarin.

Hetimi është shtrirë në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, që kanë bashkëpunuar në goditjen e veprimtarisë kriminale.

Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet e drejtësisë së shtetit të Spanjës, është krijuar në vitin 2023 skuadër e përbashkët hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës dhe, nëpërmjet përdorimit të metodave speciale të hetimit, si përgjime telefonike, në vende private, automjete, në zyra të agjencive të udhëtimit, si dhe veprimeve simuluese-blerje të dokumenteve të falsifikuara dhe agjentit të infiltruar, është dokumentuar mënyra e të vepruarit të këtij grupi kriminal.

Nga tërësia e hetimeve, SPAK thotë se provohet që drejtuesi i grupit është shtetasi Bashkim Sula, i cili ka lidhje me të gjithë të pandehurit e tjerë. Ai kujdeset për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, deri te mbërritja në Mbretërinë e Bashkuar, nëpërmjet Irlandës së Veriut. Pasaportat e falsifikuara janë kryesisht sllovene, italiane ose rumune. Prodhimi i tyre kryhet në Kosovë dhe Shqipëri.

Sipas gjetjeve të Prokurorisë së Posaçme, shtetasit Xhelal Krasniqi dhe Fitim Rama, shqiptarë të Kosovës, sigurojnë pasaportat e falsifikuara që prodhohen në Kosovë. Këto dokumente futen në territorin shqiptar dhe dorëzohen dorazi tek Njazi Ademaj. Ky i fundit njihet si ndërmjetësi dhe kontaktohet nga personat që kërkojnë të udhëtojnë. Ai diskuton mbi detajet, mënyrën e pagesës, si dhe përcjell dokumentet e nevojshme si fotografi, gjeneralitetet, dokumentet e duhura të identifikimit që shërbejnë më pas për të prodhuar dokumentet e falsifikuara.

Ademaj mban kontakte me një tjetër pikë kyçe të grupit, shtetasin Ylli Brahimaj, që po ashtu siguron dokumente false. Më pas, futet në lojë agjencia “Domi Travel”, me ortak Rrezart Domin. Pjesë e dosjes janë edhe të punësuarit e agjencisë, shtetasit Osman Luca, Artur Mici, Emilajn Marashi, Adrian Mema, Jugert Gashi, Maksin Domi dhe Arsen Caka. Ata janë personat që i transportojnë drejt Spanjës, kryesisht në Tarragona.

Në raste të caktuara, transporti kryhet përmes rrugëve tokësore. Në rast se personat udhëtojnë në rrugë ajrore, ata udhëzohen dhe akomodohen në të njëjtat hotele me drejtuesit e automjeteve. Ata takohen më pas dhe udhëzohen për rrugën që duhet të ndjekin dhe u jepen kontaktet e personave që do t’i presin në Irlandën e Veriut.

Gridi Elezi është një tjetër personazh që akuzohet se u gjen grupit kriminal dokumente të falsifikuara, në mënyrë që të ndjekin rrugën e emigrimit ilegal për të arritur në destinacionet e tyre.

Gjatë hetimit janë dokumentuar mbi dyzet e katër raste të shtetasve shqiptarë për përdorim të pasaportës së falsifikuar në aeroportet e Spanjës, kryesisht Barcelonë, e të tjera, si dhe është dokumentuar aktiviteti i prodhimit dhe i sigurimit të të paktën shtatëdhjetë pasaportave dhe i një tërësie kartash të tjera identifikimi dhe patentash.

Edhe në këtë veprimtari të mirëfilltë kriminale nuk mungonte implikimi i njerëzve të ligjit. Efektivi i policisë Roland Islamaj, provohet se ka pasur dijeni në lidhje me aktivitetin e trafikut, por nuk ka marrë asnjë masë për ta parandaluar, kallëzuar apo referuar këtë grup kriminal, sipas SPAK.

Kjo është skema e grupit kriminal në formë hierarkike, me pozicionin e secilit prej individëve të përfshirë në këtë aktivitet, sipas dosjes së prokurorisë.

Referuar dosjes së SPAK, thuhet se prokurorja e çështjes, Elida Kaçkini, ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë akuzat e ngritura ndaj grupit.

Ndër provat kryesore të gjetura janë dhe bisedat që kanë bërë palët mes tyre për të arritur qëllimin e përbashkët të kalimit të personave nga Shqipëria drejt Anglisë, Amerikës dhe Kanadasë.

Në një nga bisedat e përftuara është ajo ndërmjet Njazi Ademajt, personit që ishte ndërmjetës, dhe Rrezart Domit, drejtuesit të agjencisë së udhëtimit “Domi Travel”.

Njazi Ademaj: Mgjes o dagja. 1 për të shtunën është në Kukës. Mos harro. Gjeja 1 vend të mirë.

Rrezart Domi: Po dagja.

Biseda zhvillohet për personin me inicialet Sh. Gj., i cili ka porositur një pasaportë të falsifikuar te Njazi Ademaj për të shkuar në Irlandë. Ademaj, pasi ka siguruar dokumentin nga Bashkim Sula, ka marrë përsipër që ta dërgojë nëpërmjet agjencisë “Domi” në Spanjë, nëpërmjet Rrezart Domit. Ky i fundit më pas e ka lënë në dorën e shoferit Arsen Caka. Emigranti Sh. Gj. ka udhëtuar drejt Spanjës, po ashtu me furgonët e të njëjtës kompani, për ta pasur një rreth ciklik të të gjithë veprimtarisë.

Gjatë udhëtimit, pasaportën false e ka mbajtur shoferi i agjencisë për siguri në pikat kufitare, duke e kamufluar thjesht si aktivitet transporti të një dokumenti legal.

Më datë 26 shtator 2023, Arsen Caka i ka dërguar në aplikacionin WhatsApp Njazi Ademajt një foto të pasaportës së falsifikuar. Bëhet fjalë për një pasaportë sllovene, me të dhënat e shtetasit Stanko Linkar, i datëlindjes 14 shkurt 1996.

Më datë 2 tetor 2023, Njazi Ademaj i shkruan sërish shoferit, ku i kërkon të dorëzojë pasaportën, pasi kishte mbaruar punë me lekët dhe ishte në rregull.

Mirmëngjes, o ma i madhi në vend. A t’ia jap numrin atij qunit. Kam maru pun me leket. Epja ate.

Ndërkohë, personi që ka marrë pasaportën e falsifikuar më pas është ndaluar nga autoritetet spanjolle, duke tentuar të kalojë drejt Irlandës së Veriut.

Nga bashkëpunimi me autoritetet policore spanjolle, provohet që shtetasi Sh. Gj., më datë 5 tetor 2023, është arrestuar në aeroportin El Prat-Barcelonë me dokumente të falsifikuara dhe, konkretisht, një pasaportë sllovene me të dhënat e shtetasit Stanko Likar, po ashtu edhe me një kartë identiteti sllovene dhe leje drejtimi me të njëjtin emër. Arrestimi i këtij u bë në momentin që ky shtetas po tentonte të hipte në avionin për në fluturimin Barcelona-Dublin.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut e kësaj skeme trafikimi të emigrantëve ilegalë. Detajet në vijim do të zbulojnë momente të forta të përgjimeve për mënyrën se si operojnë këto grupe në terren…/Inside Story

 

ME TE LEXUARAT