Dy tornado godasin Siçilinë, panik dhe dëme të mëdha në Marsala/ Disa të plagosur, mes tyre edhe fëmijë (VIDEO)

Dy tornado të fuqishme, të formuara në det pranë qytetit të Marsalës, në perëndim të Siçilisë, dolën në breg dhe përshkuan zonat e banuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, automjete, ndërtesa publike dhe kultura bujqësore. Nga moti ekstrem pati disa të plagosur, ndërsa ekipet e emergjencës u angazhuan për përballimin e situatës.
Ngjarja u regjistrua në provincën e Trapanit, ku dy fenomenet atmosferike u krijuan pak larg vijës bregdetare dhe më pas lëvizën drejt brendësisë së ishullit. Forca e erës shkaktoi dëme të shumta materiale, ndërsa disa persona u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Një nga incidentet më të rënda ndodhi në zonën e Petrosinos, ku një automjet u mor nga forca e erës dhe përfundoi në një humnerë. Të dy personat që ndodheshin në makinë mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital.
Mes të plagosurve është edhe një burrë 70-vjeçar, i cili u dërgua në urgjencë me fraktura të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. Pavarësisht rëndësisë së dëmtimeve, ai ishte i vetëdijshëm dhe në kontakt me ambientin përreth.
Pas ndërhyrjes së mjekëve dhe stabilizimit të gjendjes së tij në sallën e operacionit, u vendos që 70-vjeçari të transferohej në qendrën e specializuar të traumës në spitalin Villa Sofia, në Palermo.
Ndërkohë, në spitalin e Marsalës morën ndihmën e parë katër fëmijë dhe pesë të rritur, të cilët kishin pësuar lëndime të lehta, gërvishtje dhe prerje.
Edhe në spitalin e Mazara del Vallo u aktivizua plani i posaçëm për menaxhimin e emergjencave me një numër të madh të të plagosurve, për të përballuar fluksin e mundshëm të pacientëve.
Una doppia tromba marina si è verificata nella zona del porto di Marsala e, spostandosi, l'evento atmosferico ha provocato diversi danni ad edifici, automobili e coltivazioni nel territorio trapanese da Petrosino a Favignana Video Ansa https://t.co/KXw111p24E
— Repubblica (@repubblica) October 9, 2026
Një nga zonat më të prekura nga fenomeni ishte Petrosino, ku u raportuan katër persona me lëndime të lehta, ndërsa disa banesa pësuan dëme të rënda dhe të tjera u shkatërruan.
Kryetari i bashkisë së Petrosinos, Giacomo Anastasi, bëri të ditur se mes personave të prekur ishin edhe dy punonjës të qendrës komunale të grumbullimit të mbeturinave.
Përveç dëmeve në banesa dhe automjete, era e fuqishme shkaktoi probleme edhe në infrastrukturën rrugore. Në stadiumin komunal u shemb një pjesë e murit, duke shtuar bilancin e dëmeve materiale.
🔵#Marsala Ha lasciato al suo passaggio feriti e danni a edifici e automobili. Una doppia tromba d’aria marina si è abbattuta sul porto di Marsala, per poi raggiungere l’entroterra. Gravi danni alla scuola “Alcide De Gasperi” di Contrada Terrenove. https://t.co/qNQngOYFeu
— Rai Radio1 (@Radio1Rai) October 9, 2026
Autoritetet po përgatiten gjithashtu për strehimin e përkohshëm të banorëve që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe që nuk mund të kthehen për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga moti ekstrem.
Pasojat e kalimit të dy tornadove ujore u ndjenë edhe në institucionet publike. Shkolla “Alcide De Gasperi”, në lagjen Terenove të Marsalës, pësoi dëmtime në ambientet e saj.
Autoritetet dhe ekipet e emergjencës vijojnë të vlerësojnë pasojat e fenomenit, ndërsa banorët përballen me dëmet e shkaktuara nga një ngjarje e pazakontë atmosferike, e cila solli panik dhe shkatërrime në disa zona të Sicilisë perëndimore.


