Detajet, si e humbi jetën e reja britanike në Durrës? Misteri i vdekjes, gjak nga hunda dhe vajza 2 vjeç

Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme Durrësin, ku një 25-vjeçare britanike humbi jetën.
E reja Ferne Josephine King u gjet e pajetë brenda banesës që kishte marrë me qira, teksa pranë saj ndodhej edhe e bija 2-vjeçare, kjo e fundit, fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore.
Në trupin e saj nuk janë konstatuar shenja dhune, po vetëm një rrjedhje e vogël gjaku nga hunda. Paraprakisht dyshohet se ajo mund të ketë pësuar arrest kardiak, megjithatë shkaku i vdekjes do të zbulohet nga autopsia mjeko-ligjore.
25-vjeçarja kishte mbërritur në Durrës vetëm tre ditë më parë për pushime, së bashku me vajzën e saj 2-vjeçare. Ajo kishte prenotuar përmes platformës Airbnb një apartament në një pallat pranë Muzeut Arkeologjik, në rrugën "Taulantia", ku do të qëndronte për tre ditë.
Trupi i saj u zbulua rreth mesditës nga pastruesja e apartamentit, e cila kishte shkuar për të kryer pastrimin pas përfundimit të rezervimit. Ajo e gjeti të renë pa shenja jete në shtrat, ndërsa pranë saj ndodhej vajza e vogël. Pastruesja njoftoi menjëherë shërbimin e Urgjencës, i cili konfirmoi vdekjen e 25-vjeçares dhe më pas lajmëroi policinë.
Pas ngjarjes, vajza 2-vjeçare është marrë në kujdes nga shërbimi social dhe është dërguar në një qendër sociale në Tiranë, e ngritur për raste të tilla. Ndërkohë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë është njoftuar dhe po merret me procedurat për kontaktimin e familjarëve të 25-vjeçares dhe veprimet e mëtejshme.
Nga hetimet e deritanishme nuk ka të dhëna që ngjarja të jetë e lidhur me veprim kriminal, ndërsa autoritetet po presin rezultatet e ekspertizave mjeko-ligjore për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes.


