Çfarë sheh policia në ekran kur skanon pasaportën tuaj në kufi?

Soft

114944_policia-ne-kufi_utv.webp

Kontrolli i pasaportës në kufi zgjat zakonisht vetëm disa sekonda. Oficeri skanon dokumentin, kontrollon të dhënat në sistem dhe, nëse gjithçka është në rregull, i lejon udhëtarit të vijojë rrugën. Por pas këtij veprimi të thjeshtë fshihen një sërë kontrollesh të sigurisë dhe verifikimesh në databaza kombëtare e ndërkombëtare.

Sapo pasaporta vendoset në lexuesin elektronik, sistemi merr informacionet nga zona e lexueshme elektronikisht e dokumentit. Këtu përfshihen emri, mbiemri, data e lindjes, gjinia dhe shtetësia, por edhe të dhënat e pasaportës, si numri i dokumentit, shteti që e ka lëshuar dhe data e skadimit.

Në rastin e pasaportave biometrike, sistemi mund të lexojë edhe të dhënat e ruajtura në çip, përfshirë fotografinë e mbajtësit. Kjo ndihmon në verifikimin nëse personi që paraqitet në kufi është i njëjti me atë që figuron në dokument.

Një tjetër hap i rëndësishëm është verifikimi i autenticitetit të dokumentit. Sistemi kontrollon nëse pasaporta është ende e vlefshme, nëse është raportuar e humbur apo e vjedhur, nëse është anuluar dhe nëse ka shenja të ndryshimit të paligjshëm të të dhënave.

Nëse shfaqet ndonjë parregullsi, oficeri mund të kryejë një kontroll më të detajuar të elementeve të sigurisë së pasaportës dhe të verifikojë përputhjen e fotografisë me personin përballë tij.

Në kufijtë e jashtëm të zonës Shengen, një pjesë e rëndësishme e kontrollit lidhet me verifikimin në sistemet policore. Një prej sistemeve kryesore është Sistemi Informativ Shengen, përmes të cilit vendet anëtare shkëmbejnë të dhëna të rëndësishme për sigurinë. Në të mund të ketë sinjalizime për persona në kërkim, persona të zhdukur, si dhe individë ndaj të cilëve ekzistojnë masa që lidhen me hyrjen në një territor.

Kontrollet mund të përfshijnë edhe të dhëna për masa gjyqësore, sende të vjedhura apo raste të lidhura me hetime penale.

Policia kufitare mund të përdorë gjithashtu të dhënat e Interpolit për pasaportat e humbura ose të vjedhura. Për këtë arsye, një pasaportë e deklaruar më parë si e humbur mund të krijojë probleme edhe nëse dokumenti është gjetur më vonë.

Pyetja që çojmë më shpesh nëpër mend, është: ‘A sheh policia gjithçka për ne?’. Përgjigjia është jo. Skanimi i pasaportës nuk do të thotë se oficeri merr automatikisht akses në të gjithë informacionin privat të një personi.

Në kuadër të kontrollit të zakonshëm kufitar, në ekran shfaqen të dhënat që nevojiten për procedurën dhe sinjalizimet për të cilat oficeri ka autorizim. Informacione si vendi i punës, gjendja bankare, zakonet e blerjeve apo përmbajtja e telefonit nuk shfaqen thjesht nga skanimi i pasaportës.

Përdorimi i databazave policore rregullohet nga ligji dhe akseset në to regjistrohen, ndërsa përpunimi i të dhënave duhet të respektojë rregullat për mbrojtjen e privatësisë.

Për shtetasit e vendeve që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, kontrolli mund të përfshijë edhe të drejtën për të hyrë dhe qëndruar në territor. Oficeri mund të verifikojë nëse udhëtari ka vizën ose lejen e nevojshme të qëndrimit, sa kohë ka qëndruar më parë në zonën Shengen dhe nëse ka tejkaluar afatin e lejuar.

Gjithashtu mund të kontrollohet nëse ekzistojnë ndalime hyrjeje apo vendime të mëparshme për largimin e personit nga territori.

Nëse oficeri ju kërkon të prisni pas skanimit të pasaportës, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se keni kryer ndonjë shkelje. Një vonesë mund të shkaktohet nga përputhja e të dhënave me një person tjetër, një dokument i dëmtuar, probleme me çipin biometrik, vulat e paqarta të hyrje-daljeve ose nevoja për të kontrolluar informacione shtesë.

Në këto raste, oficeri mund të kërkojë një dokument tjetër identifikimi, të bëjë pyetje shtesë për destinacionin dhe qëllimin e udhëtimit, ose ta dërgojë udhëtarin për një kontroll më të detajuar.

Në varësi të sinjalizimit, mund të kryhet një verifikim i mëtejshëm i identitetit, të kontrollohet automjeti ose t'i kërkohet udhëtarit të presë përkohësisht. Në raste të caktuara, hyrja në territor mund edhe të refuzohet.

Pra, ato pak sekonda që kalojnë pasi pasaporta vendoset në skaner nuk shërbejnë vetëm për të shfaqur emrin dhe mbiemrin e udhëtarit. Në sfond mund të kryhen njëkohësisht kontrolle për vlefshmërinë e dokumentit, të drejtën për të kaluar kufirin dhe sinjalizime të ndryshme të sigurisë.

ME TE LEXUARAT