Teherani “hap derën” e diplomacisë / Irani vendos kushtet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Irani mban të hapur derën e diplomacisë, pavarësisht refuzimit publik të Donald Trump për planin e Teheranit që synon përfundimin e konfliktit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Presidenti amerikan e cilësoi propozimin të papranueshëm, por Teherani thotë se ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare përmes ndërmjetësuesve.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se vendimi për hapat e ardhshëm do të merret vetëm pasi Uashingtoni të përcjellë qëndrimin përfundimtar.
“Po presim që ndërmjetësuesit të na përcjellin qëndrimin përfundimtar dhe do të marrim një vendim bazuar në të”, tha shefi i diplomacisw sw republikws Islamike
Por Teherani nuk tërhiqet nga kushtet e vendosura.
Plani parashikon që Shtetet e Bashkuara të heqin bllokadën detare ndaj porteve iraniane, të lehtësojnë sanksionet mbi shitjen e naftës dhe të respektojnë një armëpushim që përfshin edhe Libanin.
Në këmbim, Irani ofron rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrimin tregtar dhe rikthimin në negociatat për programin bërthamor brenda shtatë ditësh.
Presidenti i SHBA, Trump e ka refuzuar publikisht ofertën.
Por Araghchi këmbëngul se reagimi publik i presidentit amerikan nuk përbën ende përgjigjen zyrtare të Uashingtonit dhe se Teherani pret komunikimin përmes ndërmjetësuesve.
Në qendër të negociatave mbetet Hormuzi, një nga korridoret më strategjike të energjisë në botë. Në kushte normale, përmes tij kalon rreth një e pesta deri në një të katërtën e naftës së tregtuar globalisht.
Ndërkohë, Omani, që ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit, u ka bërë thirrje palëve të vazhdojnë dialogun.


