“Nuk ka as edhe një thërrime”, palestinezët në Gaza në uri ekstreme luftojnë për ushqim

Në qytetin e Gazës, skenat e dëshpërimit janë bërë të përditshme. Në një kuzhinë bamirësie, palestinezët presin me orë të tëra për të marrë një racion ushqim, në një përpjekje të mbijetesës që tashmë ka kaluar çdo kufi njerëzor.
“Ja tenxherja ime, nuk ka as edhe një thërrime brenda,” tha një grua që qëndronte në radhë. Ajo shtoi me lot në sy: “Kam një vajzë dyvjeçare. U ktheva në shtëpi me një tenxhere bosh dhe e gjeta vajzën time duke bërtitur nga uria, pa bukë e pa ushqim.”
Bllokada e plotë izraelite e vendosur që prej marsit ka çuar në një katastrofë të vërtetë humanitare. Sipas burimeve nga Al Jazeera, të paktën 122 persona kanë vdekur nga uria që prej fillimit të luftës, shumica e tyre pas marsit, kur izolimi u bë total.
Një tjetër grua, Umm Abdullah, tregoi se shpeshherë pranë kuzhinave bamirëse shpërthejnë përleshje, pasi njerëzit përpiqen me çdo kusht të sigurojnë ndonjë copë ushqim. “Një herë më ra tenxherja mbi trup dhe u dogja, e në fund sërish ika pa asgjë,” kujton ajo.
Edhe Riham Dwas, nënë e disa fëmijëve, përshkroi realitetin e dhimbshëm: “Fëmijët e mi hanë vetëm nëse është hapur ndonjë kuzhinë bamirësie, përndryshe, mbeten pa ushqim.”
Aktualisht, rreth 500 mijë palestinezë në Gaza janë në uri ekstreme. Ndërkombëtarisht, situata konsiderohet si një nga krizat më të rënda humanitare të dekadës. Megjithatë, ndihma mbetet e pamjaftueshme, ndërsa popullsia civile vazhdon të paguajë çmimin më të lartë të një lufte që nuk kanë zgjedhur


