Zjarri në Lofkend mbetet jashtë kontrollit, rifillon ndërhyrja nga ajri në Mallakastër

Aktualitet

Zjarri në Lofkend mbetet jashtë kontrollit, rifillon ndërhyrja

Ka rifilluar mëngjesin e kësaj të enjteje ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit në masivin pyjor të Lofkendit, në Mallakastër, ku flakët vijojnë të jenë të përmasave të mëdha dhe situata mbetet e vështirë.

Pavarësisht përpjekjeve të pandërprera prej disa ditësh, zjarri nuk është vënë ende nën kontroll, ndërsa ekziston rreziku që ai të përhapet në një perimetër edhe më të gjerë.

Gjatë pasdites së djeshme, flakët avancuan me shpejtësi në masivet pyjore, duke përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me pisha. Më kritike paraqitet situata në zonat pranë fshatrave Panahor, Çyçen, Riban dhe Ngraçan, ku zjarri vijon të përbëjë kërcënim.

Në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, të mbështetura edhe nga ndërhyrja ajrore, në përpjekje për të izoluar vatrat aktive. Megjithatë, sipas deklaratës së bërë një ditë më parë nga kryetari i Bashkisë Mallakastër, intensiteti i flakëve dhe terreni i vështirë e kanë bërë të pamundur neutralizimin e plotë të zjarrit vetëm me forcat tokësore.

Autoritetet vijojnë operacionin për shuarjen e flakëve, ndërsa situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm.

ME TE LEXUARAT