Alarm për rezervat e raketave amerikane? Trump ‘shpërthen’ ndaj mediave: Kemi më shumë municione se kushdo tjetër

Pas njoftimeve të disa mediave se rezervat e raketave të ushtrisë amerikane janë zvogëluar ndjeshëm, administrata e Trumpit reagon me zemërim.
Prej disa ditësh disa media ndërkombëtare po raportojnë se ushtria amerikane po përballet me një mungesë raketash mbrojtëse dhe raketash me rreze të gjatë veprimi. Këto njoftime vijnë në një periudhë kur presidenti amerikan Donald Trump herë kërcënon me sulme të ashpra ndaj Iranit, herë njofton për negociata me përfaqësuesit e Teheranit dhe herë flet për një marrëveshje të afërt me Iranin.
Sipas raportimeve konsumi i madh i raketave gjatë muajve të fundit nuk ndikon vetëm në çështjen nëse SHBA-ja do të ndërmarrë sërish sulme të gjera ndaj Iranit, por edhe në ekuilibrin strategjik në rajonin Azi-Paqësor. Ndërkohë Ukraina po i ndien që tani pasojat e pakësimit të këtyre rezervave.
Administrata amerikane i hodhi poshtë këto pretendime dhe këmbëngul se forcat e armatosura amerikane disponojnë rezerva të mjaftueshme armësh dhe municionesh për t’iu përgjigjur çdo skenari të mundshëm ushtarak.
Tabloja sipas raportimeve dhe analizave
Nxitësi kryesor i debatit janë sidomos tri raporte. Në fund të korrikut instituti amerikan i studimeve strategjike “Center for Strategic and International Studies” (CSIS) publikoi një analizë, sipas së cilës SHBA-ja disponon ende deri në rreth 830 raketa mbrojtëse “Patriot”. Para luftës me Iranin numri i tyre vlerësohej të ishte rreth 2.300.
Rezervat e raketave mbrojtëse THAAD, të cilat mund të neutralizojnë raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, thuhet se kanë rënë nga 452 në 278 që nga fillimi i luftës. Me këtë raport CSIS thelloi një analizë të publikuar në prill, ku shqyrtoheshin pasojat e luftës me Iranin ndaj përballjeve të mundshme ushtarake në të ardhmen.
Në fillim të javës, kanali amerikan televiziv CNN dhe agjencia e lajmeve Reuters njoftuan se sipas vlerësimeve të brendshme të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, rezervat e raketave sulmuese të tipit Army Tactical Missile Systems (ATACMS) dhe Precision Strike Missiles (PrSM) janë konsumuar në masë të madhe. Reuters citon dy burime të brendshme, të paidentifikuara me emër, sipas të cilave “pothuajse të gjitha” këto armë ndërkohë janë përdorur.
Raketat ATACMS kanë një rreze veprimi deri në 300 kilometra dhe përdoren jo vetëm kundër Iranit, por edhe nga Ukraina në luftën e saj mbrojtëse kundër agresionit rus. Në perspektivë afatgjatë ato pritet të zëvendësohen nga raketat PrSM, të cilat kanë një rreze veprimi më të madhe.
Po ashtu sipas Reuters thuhet se që nga fillimi i luftës me Iranin Shtetet e Bashkuara kanë konsumuar rreth gjysmën e rezervave të tyre të raketave “Tomahawk”. Këto raketa lëshohen nga anije luftarake dhe nëndetëse. Për përdorimin e lartë të raketave “Tomahawk” kishte raportuar më herët edhe CNN.
Prodhim që kërkon kohë
Shqetësimet e ushtarakëve duhet të lidhen edhe me faktin se rezervat e raketave duan kohë që të riplotësohen. Sipas CNN-it Shtetet e Bashkuara aktualisht marrin çdo muaj rreth 15 raketa të reja “Tomahawk” dhe 20 raketa të reja “Patriot”.
Për shkak të kohës së gjatë të prodhimit mund të duhen deri në dy vjet që rezervat të arrijnë në nivelet e mëparshme. Kurse raketat e tipit si PrSM (Precision Strike Missile), mund të zëvendësohen më shpejt dhe, sipas CSIS-it, mund të jenë sërish në dispozicion në nivelet e para luftës që në mesin e vitit të ardhshëm.
Qeveria i hedh poshtë me forcë njoftimet për mungesë municionesh
Qeveria amerikane i kundërshtoi që në fillim të javës raportimet për mungesë municionesh. Presidenti Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë “shumë më tepër municione se kushdo tjetër në botë” dhe madje “shumë më tepër sesa na nevojiten”. Ai shtoi se kompanitë e industrisë së mbrojtjes po prodhojnë municione “më shumë se kurrë më parë”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, theksoi se ushtria ka “gjithçka që i nevojitet” për të zbatuar vendimet e presidentit.
Kurse ministri i Mbrojtjes Pete Hegseth reagoi edhe më ashpër. Të martën ai madje sulmoi drejtpërdrejt CNN-in lidhur me një paraqitje grafike që kishte publikuar për konsumin e lartë të raketave. Hegseth, i cili nga administrata amerikane quhet edhe “ministri i luftës”, shkroi në platformën X: “Kjo NUK ËSHTË I VËRTETË, @CNN. Duhet t’ju vijë turp.” Ai i quajti mediat që kishin njoftuar për këtë temë si “media të neveritshme lajmesh të rreme”.
Sipas njoftimeve ekziston shqetësimi se rezervat e ulëta të raketave mund të kufizojnë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për një përballje të mundshme ushtarake me Rusinë, Kinën ose Korenë e Veriut. /DW


