Rritje page për gjyqtarët e prokurorët, PS, projektligj të ri në zbatim të vendimit të Kushtetueses

Politikë

Rritje page për gjyqtarët e prokurorët, PS, projektligj të

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëronte Parlamentin të rriste pagat e magjistratëve.

Drafti mban firmën e deputetëve Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli dhe parashikon rritjen e koeficientit të pagës referuese bazë nga 0.36, që ishte, në 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës. Sipas këtij parashikimi, gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkallës së parë dhe të apelit do t’u rritet koeficienti i pagës me 0.02.

Nga ana tjetër, projektligji parashikon një shtesë page për vështirësi në punë, në masën 80%, për prokurorët e SPAK-ut dhe gjyqtarët e posaçëm, si dhe për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm përfitojnë një shtesë page prej 5% edhe për shkak të funksionit që mbajnë. Socialistët kanë parashikuar që rritje page të përfitojnë edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilëve do t’u rritet paga në masën 85%.

Drafti pritet të miratohet në vjeshtë, kur të nisë sesioni i ri parlamentar. Por ky projektligj duket se nuk gëzon mbështetjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi, sipas tyre, nuk plotëson detyrimet që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Një ditë më parë, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve deklaruan se Kushtetuesja urdhëroi Parlamentin që të miratonte ndryshimet në ligj për pagat e magjistratëve deri më 31 korrik. Sipas tyre, në kushtet kur ky afat përfundoi dhe Parlamenti nuk miratoi asnjë ndërhyrje ligjore, zbatohet drejtpërdrejt vendimi i Kushtetueses dhe, prej 1 gushtit, përllogaritja e pagave të magjistratëve duhet të kryhet mbi bazën e formulës që i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike.

Çështja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve u shndërrua gjatë vitit të kaluar në një përplasje të fortë mes kryeministrit Edi Rama dhe magjistratëve, pasi kreu i qeverisë i akuzoi se po përdornin gjykatën për të rritur pagat e tyre. Konflikti u zgjidh në Gjykatën Kushtetuese, e cila u dha të drejtë gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke urdhëruar Parlamentin që deri në fund të muajit korrik të rishikonte ligjin dhe të rriste pagat e tyre.

ME TE LEXUARAT