Ministria e Mbrojtjes paralajmëron: Sot dita më e nxehtë, rrezik maksimal për zjarre në gjithë vendin

Aktualitet

Ministria e Mbrojtjes paralajmëron: Sot dita më e nxehtë, rrezik

Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një paralajmërim serioz për rrezik maksimal nga zjarret në të gjitha qarqet e Shqipërisë gjatë ditës së sotme, 26 korrik. Situata e përkeqësuar nga temperaturat ekstreme ka shtyrë Komitetin e Mbrojtjes Civile të kërkojë rritje të menjëhershme të gatishmërisë dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

Sipas njoftimit zyrtar, qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në hapësira të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo situatë të dyshimtë tek autoritetet përgjegjëse.

Parashikimet sinoptike flasin për temperatura që mund të shkojnë deri në 40 gradë Celsius, veçanërisht në zonat bregdetare si Shëngjini, duke përkeqësuar më tej gjendjen dhe rritur ndjeshëm rrezikun për përhapje të shpejtë të flakëve.

Të dhënat e siguruara nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM) dhe Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile të BE-së (ERCC), tregojnë një situatë alarmante në të gjitha qarqet e vendit, të cilat janë klasifikuar në nivelin më të lartë të rrezikut për zjarre.

Autoritetet kërkojnë kujdes maksimal, ndërgjegjësim të shtuar dhe angazhim të plotë për të shmangur skenarë të rrezikshëm që mund të përshkallëzohen në tragjedi natyrore.

ME TE LEXUARAT