FOTO/ 18 vatra zjarri në të gjithë vendin, dronët “Bayraktar” monitorojnë situatën nga ajri

Aktualitet

FOTO/ 18 vatra zjarri në të gjithë vendin, dronët

Situata me zjarret në Shqipëri mbetet kritike. Aktualisht janë të raportuara 18 vatra aktive në disa qarqe të vendit, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar dronët “Bayraktar TB2” për të monitoruar nga ajri zonat e prekura.

Lajmi u bë i ditur nga vetë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një postimi në Facebook, ku publikoi edhe pamjet e kapura nga dronët. Sipas tij, që në orët e para të mëngjesit, Forca Ajrore ka realizuar fluturime vëzhguese për të vlerësuar nivelin e rrezikut në çdo vatër zjarri.

“Ekuipazhet e Forcave Ajrore dhe efektivët e Forcave të Armatosura ndodhen në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë kudo, me përparësi në zonat e banuara,” theksoi ministri.

Zonat e përfshira nga zjarret shtrihen nga Tropoja në veri deri në Gjirokastër në jug. Situata më e rëndë është raportuar në Delvinë, ku flakët e fuqishme detyruan autoritetet të urdhërojnë evakuimin e tre fshatrave për arsye sigurie.

Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile janë në terren dhe po ndjekin nga afër zhvillimin e situatës, ndërsa pritet përkeqësim për shkak të temperaturave ekstreme që sot kapin vlerat mbi 40°C.

ME TE LEXUARAT