Cilësoi Erdoganin diktator ndaj presidentes së KE-së, Turqia dënon komentet e kryeministrit italian

Disa ditë pas bujës që bëri sjellja e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, lidhur me presidenten e Komisionit Evropian gjatë takimit të marten, ka reaguar Italia. Kryeministri Mario Draghi e ka quajtur Erdogan diktator, duke e kritikuar atë si autoritar për trajtimin që i bëri presidentes së KE.
“Jam tejet i pakënaqur nga poshtërimi që Presidentja Von der Leyen përjetoi. Por kur ka të bëjë me këta diktatorë ... duhet të jesh i prerë në shprehjen e ndryshimeve të pikëpamjeve …por gjithashtu i gatshëm për të bashkëpunuar dhe për të siguruar interesat e vendit të vet”, tha kryeministri italian, lidhur me këtë situatë.
Këtë reagim e ka komentuar ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu. Përmes një postimi në tuitter, ai tha: “Ne dënojmë me forcë retorikën e papranueshme populiste të Kryeministrit Italian Draghi dhe deklaratat e tij të shëmtuara për Presidentin tonë të zgjedhur nga populli", shkruan ai.
Kujtojmë se Ursula von der Leyen ishte në Ankara së bashku me shefin e Këshillit Evropian Charles Michel për një takim me Erdogan për të diskutuar marrëdhëniet Turqi-BE, ndërsa u pa që dy burrat të zënë vendet kryesore së bashku ndërsa Von der Leyen u la në këmbë, e më pas u detyrua të ulet diku larg tyre.


