Pas bankave, trafikut ajror dhe Microsoft probleme globale edhe me shërbimet e Apple

Teknologji

Pas bankave, trafikut ajror dhe Microsoft probleme globale edhe me

Një tjetër gjigant i teknologjisë është përballur me probleme në infrastrukturën e tij online. Shërbimet e Apple kanë pësuar ndërprerje gjatë së martës, duke prekur miliona përdorues që raportuan vështirësi në aksesimin e App Store, Apple Music, iCloud dhe Apple Pay.

Sipas faqes Downdetector, raportimet e para për probleme me lidhjen nisën rreth orës 11:30 sipas kohës lindore në SHBA, ndërsa rreth orës 12:29 numri i ankesave u rrit ndjeshëm, duke arritur në mijëra.

Edhe faqja zyrtare e Apple për statusin e sistemeve konfirmoi disa ndërprerje. Sipas njoftimit, hyrja në llogaritë iCloud mund të ishte e ngadaltë ose përkohësisht e pamundur, ndërsa App Store dhe Apple Music rezultonin jashtë funksionit për shkak të problemeve teknike. Gjithashtu, shërbimi AppleCare në pajisje ishte përkohësisht i padisponueshëm për të gjithë përdoruesit.

Ankesat përfshinë edhe Apple Pay dhe aktivizimin e pajisjeve. Disa përdorues raportojnë se nuk arrijnë të hyjnë në llogaritë e tyre Apple nga asnjë prej pajisjeve që përdornin.

Krahas këtyre shërbimeve, probleme u raportuan edhe në Schoolwork dhe Apple School Manager, ndërsa ndërprerja e AppleCare vijoi të jetë aktiv gjatë pasdites së së martës.

Kompania nuk ka dhënë ende një shpjegim zyrtar për shkakun e problemeve dhe nuk I është përgjigjur menjëherë kërkesës së mediave për koment.

Ndërprerja vjen vetëm pak ditë pas një defekti të madh që preku shërbimet e Microsoft më 12 nëntor, duke nxjerrë jashtë funksionit për disa orë aplikacione të rëndësishme si Outlook dhe Teams. Kompania arriti të niste rikthimin e shërbimeve mëngjesin e ditës pasardhëse, ndërsa të hënën ia atribuoi incidentin një problemi të vjetër në sistem.

Ndërkohë, CNN raportoi gjithashtu për një ndërprerje në një rrjet komunikimi shumë të klasifikuar, të përdorur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së. Probleme teknike u raportuan edhe në sistemet e bankave amerikane, duke shkaktuar vonesa në shërbimet bankare online.

Megjithatë, sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, hodhi poshtë mundësinë që vala e ndërprerjeve të ditëve të fundit të jetë pasojë e sulmeve kibernetike.

“Ju them me siguri të plotë se nuk jemi nën sulm. Nuk ka asnjë kërcënim kibernetik që po ndodh. Vendi është shumë i sigurt”, deklaroi Mullin në një intervistë për CNBC.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion