Përjashtimi i Spiropalit dhe Ndrecës/ Blendi Klosi: Arsyeja, se po përgatitemi për një projekt që kërkon disiplinë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ka komentuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të PS-së.
I pyetur në emisionin “Të Paekspozuarit” se cila ishte arsyeja e përjashtimit të Elisa Spiropalit, Klosi tha se erdhi për arsye disiplinore.
Sipas Klosit, PS po përgatitet për një program, ku kërkohet disiplinë.
“Përgatitemi për një garë, orientohemi për një fushatë elektorale. Që nga ndarja e parë e 6 deputetëve që votuan kundër vullnetit të PS-së, që votuan presidentin e propozuar nga PD-ja.
Pra, janë momente ku ndahen projektet. Jemi një forcë me 104 mijë anëtarë aktivë, kemi 83 deputetë, ka momente që duhet të marrim vendime sa i përket orientimit. Unë nuk jap arsye personale për përjashtimet. Është disiplinë në parti, është nevoja për një projekt”, tha Klosi
“Për pozicionin dhe detyrën që kam, e kam të vështirë të flas për individë. Vendimmarrja ishte e forumit më të lartë të PS-së, për të mbështetur projektin më të rëndësishëm, që është integrimi në BE. Orientimi i forcës sonë politike në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme”, vijoi ai.


