72 vjet NATO: Rusia mbetet sfida më e madhe për aleancën

Bota

72 vjet NATO: Rusia mbetet sfida më e madhe për aleancën
NATO shënon këtë javë 72 vjetorin e themelimit të saj. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton se aleanca ushtarake përballet me sfida dhe kërcënime të reja.
Një sfidë e njohur për NATO-n, trupat ruse, të cilat në fillim të këtij muaji kryen stërvitje në Krime, pjesë e Ukrainës, aneksuar me forcë nga Rusia në 2014.

Presidenti i Ukrainës thotë se ka vetëm një zgjidhje për të ndalur agresionin rus, që vendi i tij t’i bashkohet NATO-s. Kanë kaluar 72 vjet që kur aleatët perëndimorë nënshkruan Traktatin e Uashingtonit në vitin 1949 për të krijuar NATO-n, bazuar në parimin e vetëmbrojtjes kolektive.

Rusia mbetet sfida më e madhe për aleancën, thotë analisti Jonathan Eyal.
“Ne kemi një Rusi e cila jo vetëm që është e gatshme të përdorë forcën për të kërcënuar vendet evropiane, por në të vërtetë ka përdorur forcën dhe ka aneksuar me forcë një pjesë të një territori që i përket një vendi tjetër, më pak se dhjetë vite më parë. Kjo nënvizon rëndësinë e NATO-s si një strukturë sigurie në Evropë”, thotë ai.

NATO vazhdon të rritet. Maqedonia e Veriut iu bashkua aleancës në mars të vitit 2020. Bosnja-Hercegovina është një kandidat zyrtar ndërsa Ukraina e Gjeorgjia dy vende që synojnë anëtarësimin. Ndërkohë Presidenti amerikan Joe Biden ka rikonfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj kësaj organizate. Paraardhësi i tij Donald Trump e quajti dikur NATO-n “të vjetëruar”, gjë që shkaktoi tronditje mes vendeve të aleancës transatlantike.

“Ardhja e Presidentit Biden në Shtëpinë e Bardhë fshiu menjëherë të gjitha dyshimet”, thotë Jonathan Eyal, i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI).
Analistja Simona Soare thotë se Presidenti Biden po bën presion që NATO të përballet me kërcënimet e tjera strategjike.

“Bashkëpunimi mbi ndryshimet klimatike, pasi ka të bëjë me sigurinë dhe mbrojtjen, por edhe më gjerë se kjo, teknologjia, një qasje e re ndaj Rusisë dhe Kinës, një qasje e re rreth asaj se si duhet mbështetur e mbrojtur demokracia nga dezinformimi si dhe ndaj fushatave të synojnë ta minojnë atë”, thotë ajo.

NATO përballet me sfida të shumta, përfshirë dhunën e vazhdueshme në Afganistan. Sulmet e vazhdueshme po i ndërlikojnë përpjekjet për t’i dhënë fund misionit gati 20-vjeçar të NATO-s. Gjithashtu tensionet e brendshme vijojnë të ziejnë, kryesisht mbi shpenzimet lidhur me mbrojtjen.

“Më shumë se 90% e popullatës së Bashkimin Evropian, jeton në një vend anëtar të NATO-s. Por vetëm 20% e shpenzimeve të NATO-s për mbrojtjen vijnë nga vendet që janë anëtare të NATO-s e BE-së”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj vendeve anëtare të BE-së për të shpenzuar për mbrojtjen 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Një objektiv për të cilin është rënë dakord në samitin e NATO-s të vitit 2014 në Uells.

“Presidenti Biden ishte një nga arkitektët e angazhimit të dhënë në Uells, ndaj në këtë kuptim ai është shumë i lidhur me idenë se Evropianët duhet të vazhdojnë të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre”, thotë Simona Soare, e Institutit të Bashkimit Evropian për Studime mbi Sigurinë.
Ndërkohë Turqia ka blerë një sistem rus të mbrojtjes nga raketat, çka ka zhgënjyer aleatët e NATO-s.“Edhe Turqia nuk beson se do të jetë më mirë jashtë NATO-s sesa brenda aleancës”, thotë Jonathan Eyal, i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.

Pavarësisht tensioneve NATO vazhdon të mbetet themeli i sigurisë evropiane ndërsa aleanca po hyn në vitin e 73-të që prej themelimit të saj./VOA
 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion